AktualitetEkonomiTë fundit

Kosovë: Shkon në 24 numri i të prekurve me COVID-19

Në Kosovë të premten u regjistruan edhe tri raste të infektimit me koronavirus duke çuar në 24 numrin e të rasteve të konfirmuara.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në orët e pasdites tha se është konfirmuar si i prekur me këtë virus një burrë 67 vjeçar nga një fshat i komunës së Malishevës në Kosovën qendrore.

Ndërkaq në orët e mbrëmjes u konfirmuan edhe dy raste të tjera; një grua 53 vjeçare e komunës së Suharekës në jugperëndim të Prishtinë dhe një burrë 43 vjeç nga komuna e Gjakovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u shpreh i shqetësuar të premten më për shkak të lëvizjeve të shumta dhe grumbullimet qoftë të gazetarëve apo qytetarëve në përgjithësi, në tubime, parqe dhe vende të hapura, duke tërhequr vërejtjen se të tillat mund të rrezikojnë përhapjen e virusit.

Ministria e Shëndetësisë urdhëroi ndërprerjen e punës në të gjitha institucionet shëndetësore private jashtëspitalore në të gjithë territorin e Kosovës, si ambulancat stomatologjike dhe ambulancat e terapisë fizikale dhe mjekësisë fizikale”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të premten se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe duke kufizuar përhapjen e virusit COVID-19. Ai vlerësoi se policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa nënvizois e Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara.

Por, ai tërhoqi vëmendjen se roli kryesor tani u mbetet qytetarëve që duhet t’u përmbahen udhëzimeve gjatë këtyre ditëve.

Ai tha se shteti është përgatitur dhe po punon që të shtojë kapacitetet mjekësore, ta ruajë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrë masa dhe t’i ruajë punëtorët dhe bizneset, që duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm.

Ministria e Infrastrukturës tha se pritet kthimi i organizuar i mbi 150 qytetarëve që kishin mbetur jashtë Kosovës, të cilët do të vendosën në karantinë 14 ditësh në konviktet e studentëve në Prishtinë, që janë shndërruar në qendër të pritjes dhe izolimit.

Që nga e premtja kur janë regjistruar rastet e para të të prekurve me koronavirus, qeveria ka marrë masa të shtuara për të parandaluar zgjerimin e tij, ndërsa institucionet u përfshinë në debate politike rreth kërkesës së presidentit të Kosovës për të deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, një kërkesë që nuk u mbështete nga kryeministri Albin Kurti, qeveria e të cilit ka deklaruar ditë më parë gjendje emergjente për shëndetin publik.

 

Fraksion.com