Corona vështirëson kthimin e shqiptarëve në atdhe
Vendimi drakonian i BE për mbylljen e kufijve ka sjellë mjaft probleme edhe për shqiptarët që ndodhen aktualisht në Gjermani e duan të kthehen në vendlindje. Në Kosovë u kthyen me një fluturim të posaçëm rreth 100 vetë.
Fluks telefonatash në ambasadat shqiptare
Po përpiqemi të ndihmojmë këdo që është drejtuar tek përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në botë, i konfirmoi të premten (20.02) Ministria e Jashtme e Shqipërisë Deutsche Welles. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Fiona Demneri thotë, se „po punohet intensivisht për kthimin e gjithkujt që ka kërkuar asistencë dhe ka shprehur interes. Situata nuk është e lehtë, pasi BE ka mbyllur kufijtë dhe fluturimet dita-ditës po dështojnë. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën, rast pas rasti.“
Që nevoja është akute duket edhe në rritjen e fluksit të telefonatave dhe E-maileve këto ditë si në Ambasadën e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Berlin. Sipas burimeve nga Ambasada e Shqipërisë në Berlin për Deutsche Wellen, vetëm të enjten ka pasur gjatë ditës mbi 150 telefonata dhe 200-300 E-maile me pyetje e thirrje për ndihmë nga qytetarë shqiptarë. Shqetësimet janë nga më të ndryshmet. Nga ata që kanë frikë, se shkelin lejen e qëndrimit, tek personat që nuk mund të fluturojnë, apo edhe ata që janë në gjendje kritike financiare. Ambasada thotë, se është i mobilizuar i gjithë personeli për të ofruar ndihmë në një situatë të tillë emergjence për shkak të virusit Corona.
Të paktën për ata që kanë frikë, se shkelin afatin 90 ditor të qëndrimit në hapësirën Shengen, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e dha dje një lajm të mirë. Ata „që e tejkalojnë afatin e qëndrimit të lejuar në hapësirën Shengen dhe dëshmojnë, se për shkak të situatës Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen nuk do të penalizohen.“
Kurse për shumë qytetarë nga Kosova që vijnë vetëm me vizë në Gjermani, shqetësimi i shkeljes së afatit të vizës për shkak të moskryerjes së fluturimit është edhe më i madh. Shumë vetë kërkojnë këto ditë të marrin një vërtetim identiteti që u ka skaduar afati i vizës që të mos penalizohen më vonë, thonë burime nga Ambasada e Kosovës në Berlin.
Kryhet kthimi i parë i organizuar i qytetarëve nga Gjermania në Kosovë
Ambasada e Kosovës në Berlin konfirmoi për Deutsche Wellen, se në bashkëpunim me autoritetet në Kosovë, Ministrinë e Jashtme, atë të Transportit dhe Shëndetësisë organizoi një fluturim të posaçëm për kthimin e banorëve residentë të Kosovës në vendlindje. Avioni i parë i posaçëm me rreth 100 persona u nis të premten në drekë nga aeroporti i Düsseldorfit drejt Prishtinës. Ambasada u lutet qytetarëve të tjerë që të kenë durim, se autoritetet janë duke përpunuar listat e qytetarëve që duan të kthehen.
Ajo që duhet të dinë, personat që kthehen në Prishtinë, është se do të kalojnë fillimisht në një karantinë 14 ditore, një hap, me sa duket jo aq i lehtë për t’u pranuar nga shumë udhëtarë që kthehen, por shumë i nevojshëm për të frenuar përhapjen e virusit Corona. Burime nga Ambasada e Kosovës në Berlin thonë, se duam të apelojmë tek qytetarët e Kosovës, nëse e kanë të mundur, të qëndrojnë në Gjermani këto kohë, sepse kapacitetet e Kosovës për futjen në karantinë 14 ditore janë të limituara.
Mundësi kontakti
Në rast se keni nevojë për të kontaktuar përfaqësitë shqiptare krahas mediave sociale, Ambasada e Shqipërisë në Berlin ofron këto numra të emergjencës: 0049 1798215905; 01523 7268 548
Telefoni i emergjencës i Konsullatës së Shqipërisë në Mynih: 0049 152 379 13997
Kontaktet me Email të ambasadës: konsullata.berlin@mfa.gov.al
Ambasada e Kosovës në Berlin, veç mundësive të kontaktit me Facebook dhe E-mail ofron këto numra emergjence si mundësi kontakti me ambasadën dhe konsullatat në Gjermani.
+49 152 29084675 Berlin
+49 157 39884891 Hamburg
+49 1522 908 4675 Frankfurt
+49 1523 733 7814 Stuttgart
+49 152 18 22 28 40 München
+49211 54 222 222 Düsseldorf
Fraksion.com