Pas 165 gjobave; Lleshaj: Nuk është koha për “trimëri” të marrë
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se 165 persona janë gjobitur vetëm ditën e sotme nga policia e shtetit për mos respektim të orarit të kufizimit të lëvizjes.
Ministri Lleshaj në Twitter:
Shumica absolute e shqiptarëve po respekton jetën e vet dhe të të tjerëve, duke zbatuar rregullat e parandalimit të përhapjes së COVID-19.
Por fatkeqësisht ka edhe ndryshe. 165 persona janë gjobitur sot pas orës 10:00 nga Policia e Shtetit, për mos respektim të orarit të kufizimit të lëvizjes.
Koha është për përgjegjshmëri të lartë dhe jo për “trimëri” të marrë. Ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, duhet të paktën të kenë respekt për jetën e të tjerëve.
Duke qarkulluar në mjedise publike ne shtojmë rrezikun për veten, por dhe për të tjerët.
Policia dhe organet e tjera shtetërore janë të angazhuara të sigurojnë zbatimin e ligjit dhe të rregullave të jashtëzakonshme. Që kjo të ndodhë më mirë, kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve të ndërgjegjshëm.
Ju lutem raportoni në numrin 112, ose në aplikacionin “Komisariati Digjital” rastet e shkeljes së rregullave të vendosura për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Vetëm kështu do të mund t’ia dalim 🇦🇱
Fraksion.com