Paralajmërimi i OBSH: Koronavirusi vret edhe të rinjtë e shëndetshëm dhe pa sëmundje të tjera
Askush nuk është imun ndaj koronavirusit qoftë ai fëmijë, i ri, i rritur apo i moshuar. Mashkull apo femër. COVID-19 nuk bën ndonjë përzgjedhje në bazë të moshës, seksit apo edhe shtresës shoqërore. Pandemia po përhapet në të gjithë botën me hapa galoponte dhe nga dita në ditë rritet numri i të prekurve dhe i atyre që ndërrojnë jetë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë hedh poshtë perceptimin se COVID-19 vret vetëm të moshuarit dhe paralajmëron me zë të lartë.
“Koronavirusi nuk vret vetëm të moshuar. Ka raste të të rinjve të shëndetshëm që kanë pësuar komplikacione të rënda” ka thënë Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebrejesus.
Numri një i OBSH-së do të kujtojë se ka një numër domethënës të rinjsh që kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Gjithsesi Tedros Adhanom sqaron se COVID-19-ta është një sëmundje shumë më e rrezikshme për të moshuarit por që të gjithë duhet ta evitojmë.
Drejtori i përgjithshëm i OBSh këmbëngul se qëndrimi në shtëpi është mjeti më i mirë për të luftuar koronavirusin.
Fraksion.com