AktualitetTë fundit

Oraret kufizuese; Policia gjobit 165 qytetarë

165 shtetas janë gjobitur me vlerë 10 000 lekë secili, për mos respektimin e kufizimit të orareve të caktuara nga qeveria, për parandalimin e  përhapjes së COVID 19.

Policia njoftoi të premten se po vijon monitorimin e zbatimit të kufizimeve të vendosura nga qeveria. “Në zbatim të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në të gjithë territorin e vendit, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë ushtruar dhe vijojnë të ushtrojnë kontrolle për zbatimin e një prej masave kufizuese, asaj të kufizimit të daljes vetëm në fashat orare 06:00 – 10:00 dhe 16:00 –18:00, për të gjithë qytetarët”,- njofton policia.

“Në të gjithë vendin, prej orës 10:00 deri në këto momente janë ndëshkuar me masë administrative me vlerën 10.000 lekë secila, 165 shtetas, të cilët nuk kanë respektuar oraret kufizuese”,- bënë me dije policia e Shtetit.

Në njoftimin e publikuar, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që secili të kontribuojë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke respektuar me rigorozitet masat kufizuese të ndërmarra për këtë qëllim.

 

Fraksion.com