Itali, një rrëfim nga spitalet që trajtojnë të sëmurët me koronavirus
Italia është vendi i dytë në botë më i prekur nga pandemia e koronavirusit pas Kinës. Materiali në vazhdim na njeh me situatën në disa prej klinikave të trajtimit intensiv të pacientëve të prekur nga COVID-19. Mjekët përballen çdo ditë me sfidën e madhe për të shpëtuar jetë, përballë një situate që nuk po njeh përmirësim. Një nga qytetet më problematike në Itali është Bergamo, të cilin mjekët e krahasojnë me Wuhanin nisur nga përmasat e përhapjes së sëmundjes.
Doktor Luca Lorini nuk qan kurrë. Ulur në zyrën e tij në spitalin “Papa Giovanni XXIII” në Bergamo, me një maskë kirurgjikale të varur në qafë, ai thotë:
“Nuk qaj kurrë për fat të keq, është diçka që nuk mund ta bëj, por qaj përbrenda“, shton ai.
Doktor Lorini drejton njësinë e kujdesit intensiv brenda spitalit i cila ka 80 shtretër. Të 80 janë të zënë me pacientë. Spitali ka edhe 450 shtretër të tjerë për pacientë me koronavirus që nuk kanë nevojë për trajtim intensiv.
“Kemi 80 pacientë nën kujdes intensiv të prekur nga COVID-19, prej të cilëve 66 kanë një tub në rrugët e frymëmarrjes e janë të lidhur me pajisjet që furnizojnë me oksigjen. 14 të tjerë furnizohen me oksigjen nëpërmjet maskave të vendosura në fytyrë. 80 vende për 80 pacientë do të thotë që jemi praktikisht plot. Normalisht nga këta të 80, tre ose katër prej tyre shërohen dhe mund të largohen në një ditë, pastaj jemi të detyruar të sjellim po aq të tjerë në ditë”, thotë ai.
Por sipas doktor Lorinit ky është një ekuilibër tejet i vështirë për t’u mbajtur dhe asgjë nuk është e sigurt.
“Përqindja e personelit të infektuar, pra mjekët dhe infermierët, është rreth 20 për qind. Kjo do të thotë se ka më shumë se 500 vetë në mesin e infermierëve e mjekëve, të infektuar me COVID-19″.
Mjekët vijojnë të inkurajojnë të gjithë personat e prekur nga virusi, por me simptoma të lehta, të qëndrojnë në shtëpi. Sipas doktor Lorinit rreth 5 për qind e atyre që janë shtruar në spital vdesin. Të afërmit e të sëmurëve nuk mund t’i vizitojnë, kështu që personeli mjekësor lejon ata që nuk kanë shpresa që të mbijetojnë që të flasin me fëmijët apo të afërmit e tyre në telefon.
“Kjo është ndoshta një nga gjërat më të trishtueshme, të mos lejosh familjet të vizitojnë pacientët e infektuar, por ne e dimë se mënyra e vetme për t’i shpëtuar ata që janë jashtë, është që të mos i lëmë ata t’i kontaktojnë. Mundohemi që ata të flasin në celular dhe po aty t’i shohin të afërmit e tyre në Facetime për shembull. Por ndonjëherë kur ata kanë tubin e oksigjenit në gojë nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë. E dimë se është një sakrificë e madhe të mos shohësh njeriun tënd, por është e domosdoshme në mënyrë që ata që janë jashtë të mos sëmuren”, thotë ai.
Një poster gjigant që mbulon një mur jashtë spitalit tregon një infermiere me një maskë në fytyrë duke përkundur gadishullin italian, që ngjan me një foshnje të plagosur, një pasqyrë reale e situatës që ka përfshirë vendin.
Italia është në duart e punonjësve të saj të shëndetësisë. Pavionet e kujdesit intensiv në spitale kanë seksione me nga 10 pacientë secila, me katër infermierë e një mjek që punojnë me turne tetë-orëshe e me pajisje sanitare të plota në secilin seksion. Sipas doktor Lorinit ka edhe raste kur pacientët shërohen.
“çdo ditë ndeshemi me të njëjtën situatë urgjente dhe çdo ditë presim që dita tjetër të jetë më e mirë për sa i përket numrit të të prekurve. Kjo nuk ka ndodhur ende, por kemi nevojë që të ndodhë së shpejti”.
Qyteti i Bergamos me një popullsi prej 120 mijë banorësh është qendra e shpërthimit të koronavirusit në Itali. Mbi 400 vetë kanë vdekur në këtë qytet dhe sipas zyrës së kryetarit të bashkisë, javën e kaluar shifrat arritën në 50 vetë çdo ditë. Italia është vendi i dytë pas Kinës dhe doktor Lorini e krahason Bergamon me Wuhan. Ndërsa vendi vazhdon të jetë i izoluar dhe me miliona familje italiane ndodhen në karantinë në shtëpitë e tyre në një përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit të ri, kërkesat në rritje për njësi të kujdesit intensiv po e detyrojnë qeverinë italiane të gjejë zgjidhje të shpejta dhe efektive. Vetëm këtë javë në Romë janë vendosur dhe aktivizuar edhe dy spitale të specializuara për trajtimin e COVID-19, njëra në spitalin e përgjithshëm Gemelli “COVID 2” dhe tjetra në Institutin Klinik Casalpalocco “COVID 3”.
“Si mjekë, ne të gjithë ndjehemi të detyruar të bëjmë gjithçka që mundemi për popullatën në tërësi. Aktualisht ndodhemi në pjesën jugore të Romës dhe siç e dini tashmë, ekzistojnë edhe dy qendra të tjera për trajtimin e koronavirusit, krahas “COVID 1” në spitalin Spallanzani me të cilin jemi në koordinim të vazhdueshëm, kemi “COVID 2” në spitalin e përgjithshëm Gemelli që u hap të martën dhe këtu jemi tek “COVID 3”. Duhet të bëjmë gjithçka që ta kalojmë situatën urgjente të krijuar me sa më pak humbje jetësh njerëzore“, thotë doktor Antonino Marchese, Instituti Klinik Casalpalocco “COVID 3”.
Ministri italian i Mbrojtjes ka kërkuar që ushtria të prodhojë 1.000 litra dezinfektues në ditë në Uzinën Ushtarake për Produkte Kimike e Farmaceutike që ndodhet në Firence. Kërkesa për dezinfektues është rritur ndërsa sasitë rezervë janë të vogla. Në të njëjtën kohë, personeli ushtarak dhe ai civil po punon për prodhimin e pajisjeve të kujdesit intensiv për të ndihmuar në krijimin e njësive të reja të kësaj natyre në të gjithë Italinë./VOA
Fraksion.com