AktualitetBota+Të fundit

Francë, rritet në 372 numri i të vdekurve nga COVID-19

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Francë ka shkuar në 372, ndërsa ai i rasteve të konfirmuara në 10.995, njoftoi Ministria franceze e Shëndetësisë.

Në një konferencë për media, drejtori i përgjithshëm i ministrisë, Jerome Salomon, tha se numri i rasteve të konfirmuara është rritur për 1.861, për të shkuar në 10.995.

Duke theksuar se virusi tashmë është përhapur në mbarë vendin, Salomon tha se 108 persona kanë humbur jetën vetëm në 24 orët e fundit, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 372.

Ai tha se vetëm 6 për qind e të vdekurve janë nën moshën 60-vjeç dhe apeloi që qytetarët të mos dalin janë shtëpive pa nevojë.

Bilanci i sotëm i viktimave është më i larti brenda një dite që nga shpërthimi i pandemisë.

Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron ka reaguar ndaj personave që shkelin masën e cila kufizon daljen pa nevojë.

“Shoh se disa persona shkojnë në park, plazh ose treg. Këta persona nuk e kanë kuptuar mesazhin tonë”, ka thënë Macron në një deklaratë.

Deri më tani, mbi 4.000 persona në Francë janë gjobitur me nga 135 euro për mospasje të dokumentit me arsyetimin e daljes nga shtëpia.

Ndërkohë, sipas mediave franceze, tre mjekë kanë ngritur kallëzim penal ndaj kryeministrit Edouard Philippe dhe ish-ministres së Shëndetësisë Agnez Buzyn, e cila dha dorëheqje muajin e kaluar, me arsyetimin se nuk kanë marrë masa në kohë kundër epidemisë.

 

Fraksion.com