Stimuj ekonomikë për qytetarët amerikanë gjatë krizës
Administrata e Presidentit Trump propozoi një paketë të gjerë stimulimi ekonomik, që përfshin shuma parash për të ndihmuar amerikanët të lehtësojnë ndikimin ekonomik të përhapjes së koronavirusit. Nkofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara.
Janë shërbimet e fundit nëpër bare dhe restorante në shumë shtete amerikane. Qeveritë lokale kanë filluar të zbatojnë kufizime për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
“Nuk e di vërtet kur do ta hapim barin përsëri, mund të duhen javë, muaj…nuk e dimë”, thotë Hayden O’Leary, kamarier në një restorant të Nju Jorkut.
Me bizneset dhe punëtorët që po humbasin para, Presidenti Donald Trump kërkoi që Kongresi të miratojë shpejt një paketë të gjerë stimulimi ekonomik.
“Do të veprojmë me guxim. Vendi është shumë i fuqishëm. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq të fuqishëm. Nuk duam që përballë këtij armiku të padukshëm, shoqëritë tona ajrore të falimentojnë. Nuk duam që njerëzit të humbasin vendet e tyre të punës apo të mos kenë para për të jetuar në një kohë që ishin në gjendje shumë të mirë vetëm katër javë më parë”, tha presidenti.
Një nga masat e propozuara, është një paketë ndihme e menjëhershme për amerikanët.
“Ne po shohim mundësinë të dërgojmë menjëherë pagesa falas për amerikanët. Ajo që kemi dëgjuar nga punëtorët amerikanë është se shumë kompani tani janë mbyllur, bare apo restorante. Amerikanët kanë nevojë për para tani. Dhe presidenti do që tu japë para tani. Dhe kur them tani, në dy javët e ardhshme”, tha Steven Mnuchin, sekretar i Thesarit.
Për të mbështetur ekonominë, administrata do t’i kërkojë Kongresit rreth 1 trilion dollarë paketë stimuluese shtesë, e cila mund të përfshijë ulje të taksave mbi pagat, pagesa për bizneset e vogla, garanci kredie dhe lehtësime të tjera për industri të tilla si linjat ajrore dhe hotelet.
“Garancia që ata të kenë kreditë e nevojshme për të kaluar këtë periudhë është thelbësore. Ndihma do të strukturohet për të siguruar që kompanitë nuk do të përfitojnë financiarisht pa ua kaluar përfitimet punëtorëve të tyre, dhe për të siguruar që fuqia punëtore nuk do të shkurtohet, kjo është e rëndësishme”, thotë Shai Akabas në Qendrën për Politika Dypartiake.
Republikanët e Senatit shprehën rezerva ndaj një pakete më të vogël lehtësimi që Dhoma e Përqafësuesve miratoi javën e kaluar, që përfshinte pushimin e paguar për të sëmurët, siguracion për papunësinë, testimin falas për koronavirusin dhe ndihmën shtesë për ushqim dhe kujdes shëndetësor.
Por ka një ndjenjë urgjente në rritje mes ligjvënësve për të mbështetur masat e menjëhershme agresive për të zbutur dhimbjen ekonomike të pandemisë.
“Jemi duke u përballur me një situatë që po vë në provë kushtet e jetesës. Dhe kështu, nëse ne kemi mundësinë si vend për të përdorur disa burime që do të na lejonin të mbrohemi dhe të kalojmë këtë kohë të vështirë, mendoj se ky vendim duhet të marrë përparësi pikërisht tani përpara shqetësimeve se si saktësisht do të jetë struktura e financimit”, thotë Bradley Gold, profesor i ekonomisë në Universitetin e Teksasit.
Ndërkohë, më shumë amerikanë po shmangin vendet publike dhe po kthehen tek porositë në internet. Kompania Amazon njoftoi se do të pezullojë përkohësisht transportin e sendeve jo thelbësore, në mënyrë që të mund të përcaktojë përparësinë e shpërndarjes së mallrave shtëpiake dhe furnizimeve mjekësore.
Fraksion.com