AktualitetRajoniTë fundit

Në Serbi gjendja e jashtëzakonshme

Serbia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të epidemisë së virusit Corona. Numri i infektimeve po shtohet nga dita në ditë.

 Sipas të dhënave të fundit, në Serbi janë infektuar nga virusi Corona rreth 80 persona. Deri tani nuk ka raste të vdekjeve, por autoritetet serbe kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, në përpjekje për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit. Vendimi erdhi pas apeleve të pasusksesshme që qytetarët të mbeten në shtëpi dhe të mos dalin jashtë pa nevojë. Vendimet e ashpra janë marrë me 18 mars dhe ato parashikojnë që në qyetete, personat më të moshuar se 65 vjet, të mos dalin nga shtëpia. Ndërsa në fshatra dhe vendet me më pak se 5.000 banorë, dalja nga shtëpia u ndalohet personave më të moshuar se 70 vjet. Me 18 mars është futur në fuqi edhe një lloj ore policore, sepse nga ora 20:00 e deri në 5:00 të mëngjesit ndalohet lëvizja e njerëzve në rrugë për të gjithë.

Mungesa e disiplinës

Autoritetet serbe janë ankuar, se qytetarët janë të padisiplinuar, ndaj janë detyruar të vendosin këto masa. Vetëm në dy ditët e fundit në Serbi kanë mbërritur rreth 40.000 shtetas të Serbisë nga vendet e tjera dhe shumica prej tyre nuk i ka respektuar fare rregullat e qeverisë për karantinë 14-ditore. “Nga 7.607 personat e kontrolluar nga policia, 5.954 nuk i kanë respektuar rregullat dhe nuk kanë qenë në karantinë. 1.653 prej tyre nuk kanë qendruar madje fare në shtëpi“, deklaroi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Mbyllen institucionet publike

Në Serbi janë mbyllur të gjitha shkollat, kopështet, universitetet, qendrat sportive… trafiku i qytetit në Beograd funksionon si ditën e shtunë ndërsa restorantet punojnë prej orës 8:00 – 20:00. Në institucionet shëndetësore pranohen vetëm rastet emergjente. Vlerësohet se në ditët e ardhshme do të ndërpritet në tërësi trafiku i qytetit në Beograd, por edhe trafiku rajonal i autobusëve. Ndërsa punëtorët do të transportohen me autobusë të posaçëm.

Shtyhen zgjedhjet?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur me kërkesën e presidentit dhe të qeverisë që të ndërpresë të gjitha aktivitetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të duhej të mbaheshin me 26 prill. Aktivitetet do të vazhdojnë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndihma nga Kina

Ushtria e Serbisë ka marrë kontrollin e kufijve të jashtëm, spitaleve dhe qendrave për migrantë. Serbia po shqyrton edhe mundësinë e mbylljes së plotë të kufijve të jashtëm. Presidenti Aleksandar Vuçiq nënvizoi ndihmën e Kinës, e cila me kerkesë të Serbisë, në ditët në vijim do të dërgojë ekspertë dhe një sasi të konsideruar të pajisjeve teknike në luftën kundër virusit Corona./DW

 

Fraksion.com