AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Rama: Masat shtrënguese e vetmja rrugë kundër këtij armiku

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se masat janë e vetmja rrugë për të fituar luftën më koronavirusin.

Në një intervistë telelvizive, i pyetur mbi ecurinë e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri, ku deri tani janë 59 raste të konfirmuara, Rama tha se, “duhet të presim sepse jemi akoma në një periudhë që është e pamjaftueshme për të nxjerrë konkluzione, por është e sigurt se masat janë e vetmja rrugë që kemi. Ashtu sikundër është e sigurt se ne kemi qenë të parët në Europë, pas Italisë që kemi filluar të marrim masat”.

I pyetur në lidhje me masat e reja shtrënguese dhe a rrezikojnë këto masa të krijojnë radhë njerëzish në supermarkete, Rama tha se, “kjo është e pavërtetë. Ajo që është e sigurt është që jemi në luftë. Kur në fillim thoja që kjo është një luftë, shumëkush thoshte ç’është kjo fjalë kjo s’është luftë, është epidemi, është sëmundje, ndërkohë që tani të gjithë liderët botërorë flasin për luftë. Jo më larg sesa sot Kancelarja gjermane foli për luftë. Presidenti i Francës përdori fjalën luftë. Presidenti i SHBA flet për luftë. Sepse e vërteta është që kjo është luftë dhe njerëzit duhet ta fusin mirë në kokë që në luftë prioriteti është të luftosh armikun dhe të mbrosh jetën. Të gjithë këto të tjerat janë dytësore”.

Rama theksoi se, “njerëzit nuk do të grumbullohen masivisht në supermarkete se s’kanë arsye ta bëjnë këtë dhe nga ana tjetër njerëzit duhet të mësojnë të rrinë në radhë dhe në distancë nga njëri-tjetri dhe jo të mblidhen të gjithë bashkë te dera. Duhet të kuptojnë që kjo është pjesë e të luftuarit të një armiku që na do të grumbulluar, të ngjitur me njëri-tjetrin, na do dorë për dore në rrugë. Ndërkohë që ne duhet të bëjmë të kundërtën e asaj që ky armik do prej nesh”.

 

Fraksion.com