AktualitetBota+Të fundit

Trump: Qeveria do të mbështesë me forcë industritë e goditura

Presidenti amerikan Donald Trump tha se qeveria amerikane do të mbështesë “me forcë” industritë vendase të goditura nga koronavirusi.

Ai i bëri komentet sot në Shtëpinë e Bardhë në prani të grupit të posaçëm për koronavirusin që mbajti një konferencë për gazetarët.

Presidenti tha në konferencë se ekonomia amerikane e goditur rëndë do ta marrë veten me shpejtësi kur koronavirusi të jetë frenuar.

Komentet vijnë ndërkohë që administrata po merr masa për të zbutur ndikimin e COVID-19-s në ekonominë dhe tregjet financiare si në SHBA ashtu edhe në botë. Presidenti ka paralajmëruar se recesioni mund të jetë në horizont.

Sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin pritet t’i kërkojë sot Kongresit rreth 850 miliardë dollarë për të zbutur ndikimin ekonomik të koronavirusit.

I ashtuquajtur “stimul i fazës 3”, i shtohet paketës prej 8,3 miliard dollarësh për testim dhe mbështetje afatshkurtër të propozuar në fillim të këtij muaji dhe të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në fund të javës së kaluar.

Sekretari Mnuchin tha në konferencë se administrata po punon për të garantuar se amerikanëve të prekur nga koronavirusi do t’u dërgohen të holla brenda dy javëve, për t’i mdihmuar të kapërcejnë vështirësitë financiare.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, COVID-19 vazhdon të përhapet dhe numri i të vdekurve e ka kaluar shifrën 85, sipas njoftimeve të sotme ende jozyrtare.

Shtetet më të goditura të Amerikës vazhdojnë të jenë Uashingtoni, Nju Jorku dhe Kalifornia.

Numri i rasteve të konfirmuara si në Uashington ashtu edhe në Nju Jork po arrin në rreth 1,000. Në shtetin Uashington, zyrtarët raportojnë për të paktën 48 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Zyrtarët thanë se administrata do të bëjë ç’është e mundur për të frenuar pandeminë.

“Për një vend kaq të madh, ne po ecim mirë,” tha Presidenti Trump.

 

Fraksion.com