AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Propozohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se është vendosur që t’i dërgohet për miratim parlamentit, dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Ai tha se propozimi do të hidhet të mërkurën për miratim në parlament, i cili sipas Kushtetutës së Kosovës “jep pëlqimin për dekretin e Presidentit mbi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme” i cili vendosë për këtë çështje në konsultim me Kryeministrin;

Në tekstin e Kushtetutës thuhet se “Presidenti i Republikës mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, kur, ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes, kur ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe kur ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë… Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me kryeministrin, shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti I Presidentit nuk ka forcë as efekt, thuhet mes tjerash në tekstin e Kushtetutës.

“Nuk kam menduar kurrë që në përgjegjësitë e mia do të mund të vijë ky moment që të deklarojë këtë që sonte jemi të detyruar të deklarojmë dhe propozojmë që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit t’i propozoj kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

Gjendja e jashtëzakonshme, tha ai, përfshin edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gjithë territorin e Republikës.

“Jemi në një rrethanë të pa përjetuar më parë, dhe si shtet natyrisht se duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë kushtetuese edhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi e madhe injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave për parandalimin e një situate më të rënduar për qytetarin dhe gjithë shoqërinë e Kosovës. Ballafaqohemi me një grip jo sezonal por një virus vdekjeprurës prandaj duhet të angazhohemi të gjithë me potencialin që kemi”, tha ai.

Këshilli i Sigurisë u mblodh të martën mbrëma për të shqyrtuar situatën e krijuar në vend ku deri sot janë konfirmuar 19 raste të infektimit me coronavirus.

 

Fraksion.com