AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Spahiu: Përkrah bluzave të bardha edhe anëtarë të opozitës parlamentare 

Deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, e cila është angazhuar vullnetarisht përkrah bluzave të bardha në përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi, bëri thirrje sot për respektim të masave të vendosura nga autoritetet.

Në një bisedë telefonike në një studio televizive, Spahiu tha se “thirrjes së Ministres së Shëndetësisë i janë përgjigjur të gjithë anëtarët e komisionit që janë mjekë, madje edhe nga anëtarët e opozitës parlamentare që do të doja t’i përgëzoja”.

“Faktit që kësaj thirrje i janë përgjigjur mbi 1 mijë mjekë dhe infermierë tregon solidaritetin dhe përballjen që duhet të ketë çdo bluzë e bardhë me këtë situatë”. ‘Shpresoj se ky lloj solidariteti do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Ne do të angazhohemi në çdo lloj thirrje dhe programi që do të na paraqitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim të jetë sa më i vogël numri i rasteve të reja dhe i atyre që duan shtrim në spital”, tha Spahiu.

Ajo siguroi se “ne do të jemi të gatshëm kudo që të jetë nevoja, në qytetet nga vijmë ose në Tiranë për të dhënë ndihmën tonë”.

“Duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me plot miq e shokë të brezit tim që janë mjekë në Amerikë, Itali, Gjermani, ne kemi vazhdimisht komunikim dhe shkëmbim informacioni me njëri-tjetrin. Unë shpresoj dhe uroj shumë që ne të mos kemi një trend të tillë të epidemisë si në Itali, por të jetë sa më horizontal me një kënd sa më të vogël”, tha ajo.

Spahiu tha se “shpreson që numri i rasteve të mbetet sa më i vogël”. “Ne duhet të kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: Nëse ne do ta konsiderojmë veten tonë sikur jemi mbartës të virusit, le ta konsiderojmë të tillë, dhe të marrim masa të domosdoshme në momentin që hyjmë në shtëpi dhe të ruajmë maksimalisht të moshuarit, të sëmurët kardiakë, me diabet dhe me tension dhe sëmundje pulmonare. Është një apel që del nga zemra dhe duhet për gjithë shqiptarët”, tha ajo.

Po ashtu, Spahiu bëri apel për solidaritet me më të moshuarit që jetojnë vetëm. “Uroj që raste që të gjitha rastet në Spitalin Infektiv të shërohen dhe të kemi sa më pak jetë të humbura”, tha ajo.

Ndërkohë, Spahiu theksoi se ka parë një ndërgjegjësim qytetar në Durrës, ku ka shumë pak lëvizje në rrugë. “Besoj se në Durrës kjo ka funksionuar dhe këtë e tregon edhe numri i vogël i rasteve që janë diagnostikuar”, tha ajo.

 

Fraksion.com