AktualitetOp-EdTë fundit

Duhet të kalojmë nëpër tunelin e të marrëve

Nga Skënder Minxhozi

 

Ishte e vështirë të imagjinoje sesi do të ishte një Tiranë e boshatisur nga njerëzit dhe trafiku, në një pasdite të ngrohtë marsi plot diell. Ja që e pamë dhe këtë, në sajë të tornados së heshtur të koronavirusit. Secili e ka patur të vështirë të përfytyrojë edhe një fraksion të asaj që po përjeton sot në përditshmërinë e tij dhe njerëzve më të afërt. Maska, dizinfektantë, ndalim qarkullimi për veten dhe automjetin privat, qepena të mbyllur, zyra të braktisura, biznese që nuk dihet kur do të rifillojnë punën.

Shqipëria dhe e gjithë bota po jetojnë një fatalitet të përbashkët, që askush s’e pa të vinte. Nuk janë vetëm qytetet tona nën karantinë njerëzish dhe transporti. Edhe Roma, Vjena, Parisi dhe Berlini, ndodhen në të njëjtën situatë absurde dhe surreale. Shoqëria perëndimore po detyrohet të shkojë kundër thelbit të saj filozofik, kundër bazamentit të asaj për të cilën ka luftuar përditë: hapjes, komunikimit. Sot po ofrohet “distancimi social”, si e vetmja rrugë e shkurtër për t’i thënë “ndal” pandemisë. Po bëhet thirrje të rrimë të veçuar, larg njëri-tjetrit, krejt kundër natyrës tonë, kundër shtysës instiktive për të komunikuar me tjetrin, për të dhënë e marrë si qenie sociale.

Prej fundjavës së shkuar, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen graduale të shqiptarëve në qelizën e tyre bazë – familjen. Kjo masë, në të tjera kohë e pamendueshme dhe qesharake deri në grotesk, ka gjetur bindje dhe pajtim në heshtje nga shqiptarët. Sepse frika e të panjohurës, që grafikisht mediat e pasqyrojnë si një gjembaç ngjyra-ngjyra, që askush s’di ta ndalë apo eliminojë – ka bërë që edhe ne, si kinezët, italianët, francezët e skandinavët, të kthehemi tek instikti më themelor që përcakton sjelljen tonë në ambjentin rrethues: instikti i mbijetesës.

Nuk ka një mënyrë tjetër për të ndalur koronavirusin, përveç distancimit social. Sa më i thellë, aq më të pakta pasojat nesër. Sa më drastik dhe i skajshëm e torturues sot, aq më shumë jetë do të shpëtohen nesër. Brenda marrëzisë së përbotshme, mbyllja jonë e çmendur kombëtare brenda katër mureve, tingëllon paradoksalisht si e vetmja gjë normale që mund të bëjmë. Jemi një popull i varfër që me mençuri duhet të kuptojmë se duhet të rezistojmë sot, kur popuj shumë më të pasur e ndoshta më të mençur se ne, po kapitullojnë para armikut të padukshëm që të vret i fshehur pas gjësë më banale: një teshtime, një shtrëngimi duarsh!

Kemi hyrë në një tunel të marrësh, nga i cili s’dihet se kur do të dalim. Por e sigurt është se do të dalim. Për fat, kemi shokë të shumtë në këtë rrugë, në çdo pikë të horizontit nga kthejmë sytë. Shifrat e përditshme funebër të Italisë, janë të mjaftueshme për të ulur kokën dhe zërin, e për të pritur në heshtje që kjo e keqe të mposhtet. Fare afër nesh ka qindra që vdesin në anonimat dhe të pashoqëruar drejt varrit, as ngë fëmijët e bashkëshortët. Evropa dhe e bashkë me të edhe bota, po kalojnë ditë të errëta. E rëndësishme është të shpëtohet jeta. Marrëzia e kësaj kohe do të tregohet më pas si barcaletë, nga të gjithë ata që do të dalin nqë anën tjetër të tunelit.

 

Fraksion.com