AktualitetRajoniTë fundit

Arrin në 23 numri i personave me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, janë identifikuar pesë raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 23, siç njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë për gazetarët.
Bëhet fjalë për katër persona nga Dibra dhe një grua e kthyer nga Holanda. Ndërkohë, për dy të tjerë të diagnostikuar në një laborator tjetër, të martën mostrat duhet të konfirmohen nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkaq, pacientja e parë që u regjistrua me COVID-19, një grua 50 vjeçare nga Shkupi e kthyer nga Italia veriore, të hënën doli nga spitali i sëmundjeve ngjitëse në Shkup pasi u trajtua për disa javë.

Autoritetet qeveritare kanë njoftuar se nga e mërkura pasdite (18 mars) do të mbyllet aeroporti i Shkupit. Pikat kufitare po ashtu mbyllen prej sonte, e hënë, përveç për mjetet e transportit të mallrave.

Para se njoftohej për rastet e reja, u mblodh Këshilli i Sigurisë, një organ i formuar nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, për ta vlerësuar gjendjen e krijuar nga coronavirusi, ndërsa Presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk ka nevojë të shpallet gjendje emergjence në të gjithë territorin e vendit. Në këtë Këshill bëjnë pjesë kryetari i parlamentit, ministrat e Punëve të Brendëshme, të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë si dhe ekspertë të zgjedhur nga presidenti. Në takim mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë.

Zoti Pendarovski tha se “konstatimi i Këshillit është që, nëse ka nevojë – sipas vlerësimeve të sontme nuk ka nevojë, – por nëse ka nevojë mund të rekomandojmë si që qeveria të shpallë gjendje emergjence edhe në komuna të tjera përveç këtyre dyjave (Dibër dhe Zhupë).

“Konkluzioni i përgjithshëm ishte që nuk ka nevojë të ngutemi me deklarimin eventualisht të gjendjes në një nivel më të lartë, siç është gjendja e jashtëzakonshme ose e emergjencës në të gjithë territorin, sepse në këto çaste sipas të gjtha verësimeve të institucionit të autorizuar (ministrisë së Shëndetësisë) dhe ministrit, nuk ekziston rrezik të ndodh një krizë e madhe”, tha presidenti maqedonas.

Ai shtoi se nëse do vendosej të shpallej gjendje emergjence, “nuk do të thotë se do ta parandalohej një gjendje tek e cila nuk do të dëshironim të vijmë”.

 

Fraksion.com