AktualitetBota+Të fundit

Vdekjet në azilet e pleqve ndjellin shqetësim e frikë

Koronavirusi paraqet më shumë rrezik për të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobët. Vdekjet e para në Shtetet e Bashkuara si pasojë e virusit u shënuan në qendrat që ofrojnë strehim e kujdes shëndetësor për të moshuarit në shtetin e Uashingtonit. Prej atij momenti janë shtuar shqetësimet mes ekspertëve, pacientëve e familjarëve të tyre lidhur me sigurinë në këto qendra. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Julie Taboh njofton.

Vdekjet e para nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara u shënuan në fund të shkurtit në shtëpinë e pleqve “Life Care” në Kirkland të Uashingtonit.

Deri tani më shumë se 30 persona kanë vdekur, shumica e tyre banues në këtë qendër.

Kjo ishte periudhë e vështirë për Vanessa Phelps, nëna e së cilës jeton në këtë shtëpi pleqsh.

Ajo nuk ka pasur mundësi ta takojë nënën 90 vjeçare prej izolimit të qendrës.

“Ndihet tejet e stresuar dhe ka rënë në depresion. Javën që shkoi iu shtua edhe stresi që unë nuk mund ta takoja më, për një periudhë kohe”, tha ajo.

Ndërsa numri i rasteve vazhdon të rritet, ekspertët shqetësohen për mundësinë e përhapjes së COVID-19 në shtëpitë e pleqve.

“Është shqetësuese. Mendoj se përvoja jashtë Uashingtonit na tregon se virusi është i rrezikshëm për të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobët. Në këto qendra ku jetojnë shumë të moshuar, duhet punë që virusi të mbahet jashtë”, tha Glen Wortmann nga Qendra Spitalore MedStar në Uashington.

“Situata në shtetin e Uashingtonit është tragjike. Përhapja në një qendër kujdesi na ka shqetësuar që nga dita e parë”, thotë Anne Schuchat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Shqetësimi rritet nga mungesa e pajisjeve të testimit, ndaj banorët e shtëpive të kujdesit për të moshuarit ndodhen në karantinë.

Kjo po krijon ankth dhe pasiguri në familjet si ajo e Vanessa Phelpsit.

“Në raste urgjente si kjo, duhet të jesh i përgatitur për të ndarë njerëzit e infektuar nga ata që nuk e kanë virusin. Testo gjithësecilin. Unë jam testuar dy herë për shtatë ditë, por nëna ime asnjëherë. E papranueshme”, thotë zonja Phelps.

Ekpertët e shëndetit thonë se po punojnë që të hartojnë një paketë rekomandimesh për qendra si kjo në të gjithë vendin.

“Nëse një banor sëmuret në shtëpi pleqsh dhe shfaq simptoma si ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje e shenja tjera, stafi e di se ai person ka nevojë për kujdes klinik, por edhe masa parandaluese që të mos përhapet tek të tjerët”, thotë Dr. Cliff Mitchell nga Departamenti i Shëndetit në Merilend.

Stafit dhe vizitorëve u është kërkuar që të futen në karantinë për dy javë nëse mendojnë se janë ekspozuar ndaj virusit.

Diçka që Vanessa Phelps po e bën.

“Jam e mpirë. Janë shtatë ditë ferri. Nuk mund të qaj më. Më duhet të pushoj e të mbroj veten”, tha ajo./voa

 

Fraksion.com