Koronavirusi; PD: 8 propozime në mbështetje të qytetarëve e bizneseve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të marrë masa të forta për të kompensuar impaktin negativ nga COVID-19, si dhe të rishikojë buxhetin e vitit 2020.
“Sot ekonomia shqiptare ka nevojë për garanci dhe mbështetje. Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë urgjentisht masa të forta dhe të shpejta për të kompensuar impaktin negativ të Koronavirusit në ekonominë tonë. Ne duhet t’i paraprijmë patjetër kësaj krize, dhe jo ta ndjekim pas, në të kundërt do rrezikojmë shumë”, deklaroi Basha.
Në çdo vend të prekur nga koronavirusi, tha ai, paralelisht me masat ekstreme për të parandaluar përhapjen, janë përcaktuar edhe masa të forta mbështetëse, financiare dhe fiskale, për qytetarët dhe për bizneset.
Basha ripërsëriti propozimet e bëra 4 ditë më parë në mbështetje të ekonomisë dhe të qytetarëve.
Ai kërkoi të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, ai kërkoi të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
Basha po ashtu kërkoi përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
Masë tjetër e propozuar ishte edhe pezullimi dhe fshirja e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi COVID-19 është shfaqur.
Gjithashtu, kërkoi të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje, si dhe të përjashtohen nga kamatëvonesat dhe gjobat për një periudhë 3-mujore.
Kreu i PD-së kërkoi përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi COVID-19 është shfaqur.
Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë, Basha i propozon qeverisë furnizimin me ushqime dhe detergjentë të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e tërmetit, si dhe krijimin e mundësisë për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë.
Fraksion.com