AktualitetBota+Të fundit

Pse Koreja e Jugut është më e suksesshme se Italia në shtypjen e koronavirusit?

Në Itali, miliona njerëz janë në karantinë dhe 1,266 kanë vdekur nga koronavirusi.

Në Korenë e Jugut, e cila është goditur në të njëjtën kohë, vetëm disa mijëra njerëz janë në karantinë, ndërsa kanë vdekur 72.

Me përhapjen e koronavirusit, këto dy raste ilustrojnë problemet me të cilat vendet e tjera do të përballen gjithnjë e më shumë.

Është jopraktike të testohet çdo pacient i mundshëm dhe nëse autoritetet nuk gjejnë mënyra tjera për të përcaktuar se sa është përhapur infeksioni, përgjigjja e tyre më e mirë është kufizimi i lëvizjes, shkruan Reuters.

Italia, fillimisht, ka bërë testime masive, pastaj i ka ngushtuar ato, duke mos qenë në gjendje të kontrollojë qindra-mijëra pacientë, dhe në fund ka vendosur të kufizojë lëvizjen e njerëzve.

Italia ka 60 milionë banorë. Madje, edhe Papa Françesku, i cili është sëmurë me grip dhe ka dhënë mesazhin e tij të përjavshëm për besimtarët përmes internetit, ka thënë se ndjehet si “i burgosur në bibliotekë”.

Kore e Jugut: Testim në vend të karantinës

Mijëra kilometra larg, në Korenë e Jugut, autoritetet i janë përgjigjur ndryshe epidemisë me përmasa të ngjashme. Deri më tash, ato kanë testuar qindra-mijëra njerëz dhe i kanë gjurmuar transmetuesit e mundshëm të virusit si detektivë, duke përdorur telefonat mobilë dhe teknologjinë satelitore.

Në të dyja vendet, të infektuarit e parë janë regjistruar në fund të janarit. Që atëherë, në Korenë e Jugut kanë vdekur 72 njerëz nga gati 8,000 raste të prekura, ndërsa janë testuar mbi 222,000 banorë.

Në Itali kanë vdekur 1,266, janë infektuar mbi 17,660, ndërsa janë testuar rreth 73,000.

Këto të dhëna tregojnë se testimi agresiv dhe i vazhdueshëm është mjet i fuqishëm në luftën kundër koronavirusit.

Punonjësit shëndetësorë në Korenë e Jugut
Punonjësit shëndetësorë në Korenë e Jugut

Jeremy Konyndyk, nga Qendra e Uashingtonit për Zhvillim Global, thotë se testimi në masë mund t’iu japë vendeve një pamje më të qartë të shkallës së epidemisë.

Kur nuk mund të zbatohet, atëherë autoritetet duhet të ndërmarrin hapa më të ashpër, të tillë si kufizimi i lëvizjes, thekson Konjundiuk.

“Unë nuk ndihem rehat në situatat kur kufizimet e lëvizjes janë të imponuara. Kina e ka bërë këtë, por ka qenë në gjendje ta bëjë këtë sepse ka një popullsi që i bindet”, thotë Konjundjuk.

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara sidomos kanë probleme me organizimin e testimeve dhe janë disa javë pas rrugës së virusit. Në këto dy vende, shkalla e saktë e problemit nuk është ende e dukshme.

Në Gjermani nuk ka testime masive, por pas paralajmërimit të kancelares Angela Merkel se me gjasë 60-70 për qind e popullsisë mund të infektohet, opsioni i vetëm mbetet kufizimi i lëvizjes.

Në Korenë e Jugut, e cila ka pak më pak banorë se Italia – rreth 50 milionë – rreth 29,000 njerëz janë në izolim. Ka lëvizje të kufizuar në disa lagje, por deri më tani asnjë rajon nuk është shkëputur plotësisht nga pjesa tjetër e vendit.

Kore e Jugut: Rreziku i shkeljes së privatësisë

Seuli zyrtar thotë se ka nxjerrë mësime nga epidemia MERS më 2012, duke kërkuar të sigurojë sa më shumë informacion për publikun. Për këtë arsye ka zgjedhur të bëjë testime masive, përshirë edhe qytetarët me simptoma të buta, por që mund t’i infektojnë të tjerët.

Kjo gjë ka kërkuar edhe miratimin e një ligji që i ka dhënë qeverisë autoritet për të hyrë në të dhëna të individëve, duke përdorur kamerat mbikëqyrëse në vendet publike (CCTV), informacionet e marra përmes GPS-it nga telefonat mobilë dhe makinat, informacionet rreth kartave të kreditit dhe transaksioneve, e të tjera.

Përveçse ndihmojnë për të përcaktuar se kush duhet të testohet, të dhënat e mbledhura në këtë mënyrë i ndihmojnë edhe spitalet që të organizohen më mirë.

Qytetarët, për të cilët konstatohet se janë pozitivë, futen në vetizolim dhe vëzhgohen nga distanca përmes një aplikacioni në telefon ose kontrollohen rregullisht me thirrje telefonike, derisa të lirohet një shtrat spitalor.

Në atë moment, stafi mjekësor e transporton pacientin në spital, ku e vendos në një dhomë me ajër të kondicionuar. E gjithë kjo është falas, përfshirë edhe shtrimin në spital.

 

Fraksion.com