AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Thirrje studentëve të mjekësisë, rritet në 38 numri i të prekurve

Autoritetet shqiptare të shëndetësisë konfirmuan të shtunën rritjen në 38 të rasteve të personave të prekur nga koronavirusi, nga 33 që ishin të premten.

“Janë testuar 505 persona të dyshuara dhe 38 prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19” – deklaroi drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

Ajo detajoi sipas qyteteve se në Tiranë 22 raste të konfirmuar si pozitivë, në Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), në Fier 5 raste, në Lushnje 2 raste, në Elbasan 2 raste, në Rrogozhinë 2 raste.

“Në Spitalin Infektiv janë shtruar 12 persona nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.

Në terapi intensive janë dy prej tyre; një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61 vjeçare nga Fieri, ndërsa 10 të tjerët të shtruar në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente” – tha zonja Fico.

Instituti i Shëndetit Publik vazhdon pa ndalim punën në terren, në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara me Covid-19. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata kanë bërë sot një thirrje publike për mjekët dhe infermierët dhe studentët e mjekësisë që duan të kontribuojnë në përballimin e situatës së COVID-19, t’i bashkohen ekipeve mjekësore në terren.

“Gjithë sistemi ynë shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë. Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës, me një profesionalizëm dhe vetëmohim, që nuk lë vend veçse për admirim dhe mirënjohje të thellë. Çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë. Prandaj, dua të bëj një thirrje publike, për çdo profesionist që ka lidhje me fushën e shëndetësisë, mjek, infermier, farmacist, laborant, profesionist të shëndetit publik, të gjithë Ju që do të ndiheni të gatshëm për të kontribuar për menaxhimin e situatës, për t’i dhënë një dorë, për të shërbyer në sistemin tonë shëndetësor sot është pikërisht dita për ta dhënë këtë kontribut dhe për t’u bashkuar së bashku” – tha zonja Manastirliu.

Ajo ftoi për aplikime në të dy portalet “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” të gjithë ata profesionistë, që duan t’iu bashkohen ekipeve të shëndetësisë.

Policia e Shtetit ka identifikuar gjithë qytetarët që kanë hyrë ditët e fundit nga shtetet e prekura nga COVID-19.

Këta qytetarë duhet të vetë-karantinohen për 2 javë për të parandaluar përhapjen e virusit, ndaj policia e shtetit po telefonon çdonjërin prej tyre, që të përmbushin këtë detyrim, ose do të pērballen me masa ligjore.

Qeveria ka urdhëruar qëndrimin në shtëpi të qytetarëve dhe ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në të gjithë zonat e prekura të vendit.

Qeveria ndaloi shëtitjet në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, përreth liqenit të Shkodrës dhe zonat rekreative të qyteteve, që janë në perimetrin e rrezikuar.

Policia Kufitare njoftoi sot mbylljen e pikave të kalimit kufitar me Kosovën për dy javë për të parandaluar COVID-19.

Përveç mallrave dhe automjeteve mjekësore e shtetërore, nuk do lejohet asnjë automjet dhe asnjë shtetas të hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas.

Do të lejohen vetëm kthimet respektive në shtëpi të qytetarëve të dy shteteve. Masa të ngjashme u morën më parë edhe me shtete të tjera fqinje.

 

Fraksion.com