Irak, goditet sërisht me raketa baza amerikane
Zyrtarë të sigurisë njoftuan se një bazë ushtarake irakiane, ku ndodhen forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, u godit sërisht të shtunën me disa raketa.
Një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA njoftoi se si pasojë e sulmit janë plagosur 5 ushtarakë. Ai tha gjithashtu se baza u sulmua me të paktën 25 raketa. Mediat irakiane njoftuan se ishin hedhur 33 raketa, por sipas tyre 23 nuk kishin arritur të shpërthenin.
Sulmi i pazakontë gjatë ditës së shtunë në kampin Taji ndodh disa ditë pas një sulmi të ngjashëm po në këtë bazë ku si pasojë u vranë dy ushtarakë amerikanë dhe një mjek britanik, ndërsa u plagosën të paktën 14 të tjerë.
Pas sulmit ndaj bazës ushtarake Taji ditën e mërkurën, SHBA u kundërpërgjigj duke goditur pesë depo armatimesh të grupit të mbështetur nga Irani që operon në Irak, Kataib Hezbollah.
Pentagoni bëri të ditur se në disa prej këtyre depove mbaheshin raketat të cilate u përdorën për të sulmuar bazën ushtarake të Tajit.
Fraksion.com