AktualitetKosovaTë fundit

Koronavirusi, frika dhe paniku; Qytetarët të ruajnë qetësinë, mediat dhe institucionet kujdesin

Virusi COVID19 ka përfshirë shumë vende të botës por edhe të gjitha vendet e rajonit rreth Kosovës – që ka mbetur vendi i vetëm i paprekur nga koronavirusi në këtë anë të Evropës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave të para parandaluese ndaj koronavirusit ku është ndaluar edhe procesi mësimor deri më datë 27 mars.

Mirëpo, lajmet për koronavirusin, ani pse në Kosovë nuk ka asnjë të infektuar, kanë shkaktuar panik tek qytetarët, të cilët kanë zbrazur barnatoret dhe po blejnë ushqime shtesë në rast të përhapjes së madhe, shkruan lajmi.net.

E sa i përket përhapjes së panikut, një pjesë të madhe të përgjegjësisë mund të mbajnë edhe mediat të cilat në tentim për t’i informuar qytetarët shpesh mund të ndikojnë negativisht.

Por, kryesisht në kohën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale – janë njerëz dhe media të papërgjegjshme dhe jo-profesionale që shfrytëzojnë situatën nëpërmjet lajmeve të rreme të fitojnë lexues.

Kështu po e vlerëson situatën edhe profesori universitar i gazetarisë, Muhamet Jahiri.

Jahiri tha se raportimi nga mediat profesionale është në nivelin e duhur, por janë mediat fantome dhe portalet e lajmeve të rreme ato që po e shfrytëzojnë këtë fatkeqësi globale për të rritur lexueshmërinë.

“Sa i përket temës së koronavirusit dhe raportimit të mediave për këtë temë mund të themi se deri tash shumica e mediave që kanë kredibilitet dhe profesionalizëm kanë arritur të raportojnë për këtë temë e cila ka mjaftë relevancë për publik, por në të njëjtën kohë e kanë ushtuar mënyrën profesionale aq mirë sa e kanë balancuar lajmin, e kanë vetëdijësuar publikun mirëpo janë siguruar të mos nxisin panikë tek qytetarët. Mirëpo, me zhvillimin e teknologjisë, rrjeteve sociale, mediave të reja në mesin e tyre ka plot portale fantome që nuk kanë kredibilitet që funksionojnë për klikime që po e keqpërdorin këtë fatkeqësi globale të këtij virusi të nxisin lexueshmërinë dhe të rrisin audiencën, prandaj rreziku më i madh vie nga këto portale dhe prej mungesës së njohurisë të qytetarve mbi mediat dhe besueshmërinë e lajmit, konfirmimin e tyre dhe që bien pre e këtyre lajmeve të rreme që vijnë nga portalet fantome që kanë qëllime të errëta në komunikim me publikun.”, tha Jahiri për lajmi.net.

Më tutje, ai ka ftuar mediat kredibile që përveç informimit korrekt të bazuar në deklarata zyrtare të luajnë rolin informues, vetëdijësues dhe shëndetësor që publiku pavarësisht a do të kemi raste ose jo të mbetet në mbikqyrjen e institucioneve dhe faktorëve tjerë.

E sociologu Jeton Brajshori thotë se frika ka qenë pjesë e pandarshme e njeriut qysh nga zanafilla, por sipas tij, shpallja pandemi e koronavirusit shoqëritë do të futen në panik.

Sipas Brajshorit do të krijohet frikë dhe ka mundësi që qytetarët do të zbrazin barnatoret dhe marketet nga mallrat e ushqimet elementare – që mund të rezultojë edhe me mungesën e tyre në rast se kjo gjendje vazhdon për më gjatë.

“Që nga zanafilla e njerëzimit, frika ka qenë pjesë e pandashme e njeriut. Varësisht nga rastet dhe situatat ajo është shfaqur herë më shumë e herë më pak. Sot përballemi me një epidemi e cila kërcënon të gjithë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sapo ka shpallur virusin COVID-19 si pandemi. Me rastin e shpalljes së pandemisë , domosdoshmërisht se të gjitha shoqëritë do të futen në panik, për disa arsyje. Do të krijohet një histeri nga frika se vendet do të futen në karantina dhe do të mbyllen kufijtë. Me mbylljen e kufijve reduktohen edhe qarkullimi i mallrave, disa vende mund të shpallin edhe gjendje të jashtzakonshme, frika nga mungesa e gjërave elementare ushqimore do ti prekë të gjithë, kjo bën që të gjithë të vrapojnë për të blerë sa më shumë rezerva ushqimore, në raste të tilla vjen deri te kaosi i madh nëpër markete dhe farmaci të ndryshme ku nuk mungojnë as përleshjet fizike  nëse vazhdon gjendja pandemike për një kohë të gjatë ë, ka rrezik se shtetet mund të përballen me anarki totale.”, tha Brajshori për lajmi.net.

Më tutje, Brajshori tha se paniku mund të përhapet edhe qëllimisht. Sipas tij, shteti duhet të krijojë ekipa emergjente për rastin në fjalë dhe ruajtja e qetësisë qytetare është gjëja më e duhur të mund të bëhet në këto qaste.

“Paniku qëllimisht mund të përhapet edhe nga individ dhe grupe të papërgjegjshme të cilët e shfrytëzojnë rastin për përfitime materiale. Shteti duhet që të krijojë një grup emergjent me profesionistë të lëmisë së caktuar duke udhëzuar popullatën si të veproj në raste të tilla, të ketë rezerva në ushqim dhe në barëra si dhe vendet e caktuara për karantin! Ruajtja e qetësisë dhe veprimet racionale janë për momentin gjëja më e duhur që duhet bërë (kujtojmë se si japonezet e tejkaluan katastrofën bërthamore në Fukushima).”, tha Brajshori për lajmi.net.

Vlen të theksohet se në vendet e rajonit numri i qytetarëve të prekur nga koronavirusi është rritur gjatë ditës së sotme. Në Shqipëri ky numër ka arritur në 15, ndërsa në Maqedoninë e Veriut në 9.

Kosova, vazhdon të jetë vend i paprekur në rajon nga koronavirusi, por megjithatë, qeveria e Kosovës ka aplikuar masat e para parandaluese ndaj pandemisë që ka goditur botën.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës po kryejnë vazhdimisht testimet e të dyshuarve të prekur nga koronavirusi – por të gjitha mostrat deri më tani kanë rezultuar të jenë negative.

Megjithatë, barnatoret e Kosovës kanë hyrë në fazë të vështirë ku mungojnë maskat mbrojtëse dhe produktet anti-septike e dezinfektuese.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë konferencës së sotme është shprehur se Kosova është e gatshme të përballet me koronavirusin në rast se arrin në Kosovë.

 

Fraksion.com