AktualitetTë fundit

Koment: Refugjatët me imazhin e armikut në Greqi

Gjendja shpirtërore në Greqi ka ndryshuar: nëse pesë vjet më parë, shumë grekë i ndihmonin refugjatët që vinin, sot ata duan t’i dëbojnë. Përgjegjësia për këtë ndryshim mund të vihet qartë, thotë Spiros Moskovou.

Imazhe shqetësuese na vijnë këto ditë nga Greqia: forcat e figurisë po përdorin gaz lotsjellës në kufirin greko-turk në lumin Evros kundër refugjatëve dhe migrantëve që përpiqen të vijnë në Evropë. Natën, patrulla qytetarësh patrullojnë rajonin në kërkim të të huajve që mund të kenë hyrë në vend. Në ishullin Lesbos, banorë përpiqen të mbajnë larg bregut varka me refugjatë. Dhe jo larg kampit famëkeq të refugjatëve Moria, grupet e krahut të djathtë u bien në qafë anëtarëve të organizatave të ndihmave dhe rrahin gazetarët.

Pesë vjet pas krizës së parë të madhe të refugjatëve, Greqia tregon fytyrën e saj të dytë ndaj të huajve – përçmuese ndaj njeriut. Ditët e bukëpjekësit të famshëm nga Kos, i cili shpërndante bukë për refugjatët dhe që u nderua me Çmimin Evropian të Shoqërisë Civile, duket se kanë kaluar.

Greqia në ethe lufte

Që nga sulmi i të pashpresëve në kufirin verilindor të Greqisë, i inkurajuar nga hapja e pabesë e kufirit turk nga Presidenti Erdogan, Greqia ndodhet si në ethe lufte. Madje edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tani ndihej e detyruar të bënte thirrje për një qasje të moderuar të forcave greke të sigurisë ndaj refugjatëve në Evros.

Përgjegjësinë për këtë zhvillim e mban qartësisht qeveria konservatore e kryeministrit ndryshe kaq modern Kyriakos Mitsotakis, i cili, megjithatë, që në fillim dëshironte të ndiqte një kurs më të ashpër në problemin e refugjatëve. Zëdhënësi i qeverisë së tij, Stelios Petsas tha pas ngjarjeve në Evros se vendi po përballet me një “kërcënim asimetrik”. Kjo terminologji ushtarake e zgjedhur me qëllim e ktheu fletën: brenda natës problemi i refugjatëve në Greqi u bë një problem i sigurisë. Në përputhje me këtë ndryshoi edhe gjëndja shpirtërore: që atëherë, mediat sociale, siç dihet jo vend ku mblidhen politikisht korrektët, vjellin vazhdimisht komente raciste ndaj të huajve në vend, duke përfshirë edhe ofertat e DW për situatën e refugjatëve.

Pesë vjet pas vitit 2015, të duhet të konstatosh se Greqia e ka të vështirë ta mbajë nën kontroll sfidën e afro 110.000 refugjatëve që ndodhen aktualisht në vend. Dhe kjo pavarësisht nga qëndrimi fillestar pozitiv i pjesëve të gjëra të popullatës dhe përkundër qindra miliona eurove që kanë hyrë nga Brukseli. Të dhëna që publikohen në mënyrë të përsëritur, që fondet e BE janë shpërdoruar, nuk janë ndjekur. Një përpunim i rregullt dhe efikas i kërkesave për azil nuk është arritur kurrë. Një diskutim i gjerë për integrimin e mundshëm të refugjatëve në shoqërinë greke nuk është zhvilluar kurrë. Qeveritë në Athinë, pavarësisht nga ngjyra e tyre, gjithmonë i kanë injoruar thirrjet nga ishujt e refugjatëve Lesbos, Kos ose Samos.

Shoqëritë e ishullit janë të mbingarkuara

Megjithatë, shoqëritë lokale në ishuj nuk mund ta përballonin të vetme barrën e ardhjeve të reja. Kampi i refugjatëve Moria në Lesbos ka kohë që është katandisur në një lagje të njerëzve të dëshpëruar. Një situatë, që ishte toka pjellore më e mirë për racizmin që ka dalë në dritë sot. “Të gjithë duhet të ikin,” thotë një burrë nga Lesbos në një informacion të DW, “të kthehen në vendet e tyre dhe të vijnë më vonë këtu si turistë, kur situata të jetë përmirësuar te ata. Atëherë janë të mirëpritur te ne.”/DW

 

 

Fraksion.com