AktualitetBota+Të fundit

Hong Kongu hedh poshtë kritikat e SHBA-së për të drejta të njeriut

Hong Kongu ka hedhur poshtë kritikat amerikane lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, duke thënë se ky vend aziatik është “tejet i përkushtuar” për mbrojtjen dhe ruajtjen e lirive, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ish-kolonia britanike është përballur për muaj me protesta, me raste edhe të dhunshme, të cilat janë nxitur nga një projektligj tashmë i pezulluar, që do të lejonte ekstradimet në Kinë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë të mërkurën në raportin e tij vjetor se ka vërejtur një varg çështjesh që lidhen me shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë brutalitetin e policisë ndaj protestuesve dhe kufizimet në pjesëmarrje politike.

Qeveria e Hong Kongut ka thënë se ka qenë e detyrë e policisë të marrë hapa të duhur, duke përfshirë përdorimin e forcës, në kohën e rritjes së dhunës, që sipas saj ka rrezikuar rendin publik.

“Shkalla e dhunës, e kryer nga protestuesit radikalë, ka qenë e pashembullt në Hong Kong dhe ka rrezikuar seriozisht sigurinë personale të njerëzve, rregullin publik dhe sigurinë”, ka thënë qeveria e këtij vendi përmes një deklarate.

Departamenti amerikan i Shtetit në anën tjetër ka thënë se ka vërejtur ushtrim të ashpër të dhunës nga policia kundër protestuesve më 31 gusht kur policia “ka hyrë në një stacion treni dhe ka goditur dhjetëra individë teksa ka kryer arrestimet.

Në raport po ashtu janë cituar edhe një varg gazetarësh që kanë thënë të jenë përballur me ngacmime, ndalime apo sulme teksa kanë mbuluar protestat.

Mospajtimet, që fillimisht kanë nisur për projektligjin që do të mundësonte ekstradimet, më vonë janë zgjeruar në thirrje për shkallë më të lartë të demokracisë.

Hong Kongu funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme” prej kur ky territor është kthyer nën udhëheqësinë kineze më 1997.

 

Fraksion.com