AktualitetPolitikëTë fundit

“FB e Berishës makinë paniku”; PS kallëzon ish-kryeministrin në prokurori

Deputetët e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë kanë depozituar një kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal.

Lajmin e bën të ditur Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili përmes një njoftimi të publikuar të enjten deklaron se  këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhërat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut.

Sipas Ballës, në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët.

“Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhërat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut”,- njofton Balla.

“Në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët”,- vijon Balla.

“Sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë”,- sqaron Balla.

“Ne dhe publiku shqiptar kemi besimin se institucioni i Prokurorisë, në bashkëpunim me gjykatën dhe kushtëzimet proceduriale, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe presim me vëmendjen maksimale dhënien rrugë të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse”,- nënvizon Balla.

“Çdo veprim i Drejtësisë në respekt të ligjit, nuk është thjeshtë një përgjigje ndaj veprimeve të qëllimshme panikuese të të akuzuarit, por është edhe shprehje e ushtrimit të detyrës institucionale dhe qytetare në mbrojtje të jetës dhe sigurisë publike, si dhe të vlerave e parimeve të lirisë së fjalës, demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës”- u shpreh ai.

“Deputetët që kanë paraqitur kallëzimin, shprehin gatishmërinë për tu vënë dizpozicion të veprimeve hetimore në çdo moment, të bindur se Prokuroria do të angazhohet seriozisht për hetimin e të akuzuarit dhe për ta vënë atë para drejtësisë sipas kompetencave dhe procedurës së parashikuar nga ligji”,- përfundon Balla.

 

Fraksion.com