AktualitetTë fundit

Viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri; MM: 73-vjeçarja vuante edhe nga sëmundje të tjera

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmoi sot viktimën e parë nga koronavirusi në Shqipëri.

Ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë  i infektuar në qytetin Durrësit.  Ditën e sotme 73-vjeçarja ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Burime bëjnë me dije se mjekët e spitalit në Durrës kanë tentuar që ta transportojnë drejt Tiranës të moshuarën për shkak të gjendjes së saj të rënduar, por vetëm pak çaste më pas ata e kanë nxjerrë sërish për ta rikthyer në ambientet e spitalit. Kjo ka ardhur për shkak se e moshuar është përkeqësuar akoma më shumë, ndërsa tashmë është konfirmuar edhe vdekja e saj.

Në lidhje më këtë rast ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë ku njoftojnë:

“Pacientja 73 vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

73-vjecarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass.”

Ndërkohë në vendin tonë janë shënuar edhe dy raste të prekura gjatë 24-orëve të fundit. Tashmë numri total i të prekurve nga koronavirusi është 12 ndërsa po kontrollohen dhjetëra të tjerë kryesisht që kanë pasur kontakte me pacientët tashmë të konfirmuara.

 

Fraksion.com