Senatori Rand Paul mbështet tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova
Senatori amerikan, Rand Paul, mbështet tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. Unë e inkurajoj Kosovën që të kthejë kursin dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje..”, ka shkruar Paul në rrjetin social Twitter.
I support peace and commerce with all. I encourage Kosovo to turn a page, and work with Serbia for a lasting peace. Time to bring our troops home after so many years over there… https://t.co/d18Zdd76XL
— Senator Rand Paul (@RandPaul) March 11, 2020
Ky është senatori amerikan i dytë me rradhë që kërkon përfundimin e misionit ushtarak të SHBA-së në Kosovë, shkruan rel.
Të martën, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Deklaratës së tij, të martën, i bënë jehonë, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe i dërguari presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.
Deklarata e senatorit amerikan për tërheqjen e trupave amerikane ka ngjallur reagime edhe në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se qeveria urgjentisht duhet të plotësojë kërkesat amerikane për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.
Shtetet e Bashkuar e kanë marrë drejtimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ai i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në vitin 2018, për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe, nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Nën ndërmjetësimin e të dërguarit presidencial të SHBA-së, ambasadorit, Richard Grenell, muajt e fundit janë arritur dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: për linjën hekurudhore dhe atë ajrore.
Por, Shtetet e Bashkuara janë duke bërë presion mbi Prishtinën për të hequr në tërësi tarifën, në mënyrë që të hapet rruga për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fraksion.com