AktualitetTë fundit

Pse nuk u mbyll më herët qarkullimi i njerëzve me Italinë? Rama-qytetarit: Austria e mbylli sot, masat merren në kohën e duhur

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot pyetjes së një qytetari, i cili e konsideroi të vonuar mbylljen e qarkullimit të njerëzve me Italinë, duke i kujtuar se edhe “Austria që është vend kufitar me Italinë kufirin e ka mbyllur vetëm sot”.

“Këtu është puna për të ndarë me ju të vërtetën dhe faktet e qasjen tonë dhe atë që së bashku duhet të bëjmë dhe të presim. Dhe po të ishte se ne do të ishim me vonesë, pyetja ime është: Austria ka një kufi me Italinë dhe praktikisht kufirin e ka mbyllur sot”, tha Rama.

Ai theksoi se duhet kuptuar se nuk merren masat përpara kohe, por e rëndësishme është të merren në kohën e duhur. “Dhe kohën e duhur e përcakton dinamika e zhvillimit të epidemisë në terren, numri i testeve pozitive. Ne kemi qenë me fat, kjo nuk i ndodhi Italisë, ne kemi kapur në kohë pacientin zero, gjë që na dhënë gjithë zinxhirin e kontakteve. Në ato 15 raste një pjesë e konsiderueshme janë kontakte të pacientit zero. Kjo na ndihmon të krijojmë një sistem mbrojtës më solid që e nisëm me pacientin zero”, tha Rama.

Se sa të sigurta janë fasonet, Kryeministri sqaroi se “nuk është çështja sa veta mblidhen në një pikë po sa kontroll kemi në atë pikë. “Është krejt normale që kur puna mund të bëhet me kompjuter në distancë është një problem i përballueshëm dhe nuk krijon asnjë kosto,  por kur kemi të bëjmë me pika si fasonët apo call center, në atë hapësirë duhet të ruhet  distanca e sigurisë, mbrojtja e çdo punonjësi me masa paraprake”, tha Rama.

 

Fraksion.com