AktualitetTë fundit

OFL u dërgon ultimatumin dy “të fortëve” të Beratit; Akuza: Organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh

Policia e Shtetit njofton se operacioni Forcat e Ligjit u ka dërguar në Berat formularin e vetëdeklarimit dy personave të dënuar për prostitucion, trafikim lëndësh narkotike dhe organizatë kriminale.

Sipas njoftimit të policisë të publikuar të mërkurën, “në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë”, njofton policia.

“Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve: M. H., banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”; S. P., banues në Berat, dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”; Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”,- bëhet me dije në njoftim.

“OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”,- përfundon njoftimi.

 

Fraksion.com