AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi”; Basha, shqiptarëve: Tregojini mjekëve, e rrezikshme ta mbash të fshehtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të 73-vjeçares spitalin e Durrësit si pasojë e koronavirusit.

Ai ka apeluar qytetarët që të bashkëpunojnë me mjekët dhe të jenë transparentë, të tregojnë menjëherë nëse kanë ardhur nga Italia, nëse kanë pasur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi.

“Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e, në veçanti, bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë”, ka theksuar Basha.

“Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëherë nëse keni ardhur nga Italia, nëse keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore’, ka apeluar Basha.

“E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë. Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situate”, ka shtuar Basha.

 

Fraksion.com