AktualitetBota+Të fundit

Masat e Presidentit ndaj koronavirusit përçajnë Uashingtonin

Presidenti Donald Trump po përpiqet të qetësojë amerikanët ndërsa rastet me koronavirus po rriten në të gjithë vendin. Por administrata ka mosmarrëveshje me demokratët e Kongresit, të cilët thonë se planet e zotit Trump për të minimizuar ndikimin në ekonomi të situatës, nuk do të ndihmojnë punëtorët amerikanë, që janë edhe më të goditurit. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Katherine Gypson raporton rreth shqetësimit të ligjvënësve mbi këtë çështje.

Presidenti i bëri një apel popullit amerikan…

“Jemi të përgatitur dhe po bëjmë një punë të shkëlqyer. Do të largohet! Vetëm të qëndroni të qetë, pasi do të largohet”,

Por kjo nuk mund të thuhet për ekonominë amerikane. Njoftimi se një zonë jashtë qytetit të Nju Jorkut u shdërrua në zonën e parë të kontrollit ku do të ndalohen pjesa më e madhe e aktiviteteve për dy javë, ka rritur shqetësimin lidhur me përgjigjen e administratës ndaj situatës së krijuar.

“Jemi shumë të shqetësuar për paaftësinë e presidentit dhe mungesën e përqendrimit të përpjekjeve për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Besojmë se mungesa e përqëndrimit po paralizon përpjekjet për të adresuar këtë krizë publike dhe po shkakton probleme në bursë. Një fjalë mund ta përshkruajë deri më tani përgjigjen e administratës. Paaftësi!” tha Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës në Senat.

Ekipi që po koordinon përpjekjet ndaj koronavirusin në Shtëpisë e Bardhë tha se administrata po përparon me furnizimin e laboratorëve me teste për virusin.

“Testimi është i mundshëm në të gjitha laboratorët shtetërorë. Deri në fund të javës do të jenë në dispozicion edhe 4 milionë teste të tjera”, thotë Nënpresidenti Mike Pence,

Por në kushtet kur industria e udhëtimit prej 1.6 trilionë dollarësh po merr goditje serioze dhe ndërsa punonjësit ngrenë shqetësimin a do të paguhen për ditët që do të qëndrojnë në shtëpi nëse preken nga virusi, administrata ofroi disa detaje mbi një propozim për ulje të taksave me qëllim stimulimin e ekonomisë.

“Mendoj se do të garantojë një rritje të madhe”, thotë Larry Kudlow, Këshilltar Ekonomik i Presidentit Trump.

Propozimi i presidentit për ulje të taksave deri pas zgjedhjeve të nëntorit ka nxitur demokratët të thonë se ai nuk po vendos në krye interesat e popullin amerikan.

“Ne duhet që të plotësojmë boshllëqet në sistemin e kujdesit shëndetësor. Nuk duhet t’ia hedhim duke menduar se vetëm një ditë pushimi do të sjellë ndryshim për punonjësit në këtë vend”, thotë ligjvënësja demokrate Donna Shalala.

Shumë ligjvënës kanë ngritur shqetësimin nëse duhet të vazhdojnë punën normalisht në Kongres. Disa kanë mbyllur zyrat e tyre si masë për të parandaluar përhapjen e virusit nga zonat që kanë marrë goditje të fortë siç është Siatëll.

“Për ne në shtetin Uashingtonit, ku ndodhet epiqendra e shpërthimit, ndoshta ikjet dhe ardhjet në Uashington, nuk janë gjëja më e zgjuar që po bëjmë”, thotë ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.

Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi u tha ligjvënësve se Kongresi do të vazhdojë punën, pasi siç tha ajo, ka ende shumë punë të rëndësishme për të bërë.

“Kemi nevojë për teste ndaj koronavirusit të përhapura gjerësisht në vend dhe pa pagesë. Pengesat që nuk lejojnë miratimin e testeve, që nuk lejojnë shtetet dhe laboratorët privatë të kryejnë teste e me shpejtësi, duhet të marrin fund”, thotë Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës në Senat.

Veprime këto që duhen ndërmarrë në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të shmangin pasoja edhe më katastrofike./VOA

 

Fraksion.com