AktualitetKosovaTë fundit

Debate pas paralajmërimeve për sanksione amerikane ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova, ndërsa u gjet nën thirrjet e partnerit të koalicionit të tij qeverisës si dhe institucioneve dhe partive politike që të ndërmarr verime për të shmangur tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Senatori amerikan, David Perdue, nxiti debate në Kosovë pas deklaratës se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë, një qëndrim që u mbështet nga i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump.

Kryeministri Kurti, tha se nuk mendon që forcat amerikane duhet të tërhiqen nga Kosova.

„Përkundrazi dhe besoj që nuk do të tërhiqen nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind, ka të bëj me një reduktim të trupave që SHBA ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri. Por po them, unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre shtetërore në Kosovë, me ambasadë, me ekonomi, me kulturë, me mbrojtje dhe jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale duke e zëvendësuar me reciprocitet gradual. Jam i bindur që kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional e më i dobishëm për vendin tone”, tha kryeministri Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha ndërkaq se “s’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor. Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës, ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE-në varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky eshte qendrimi dhe zëri i LDK-së” shkroi ai duke nënvizuar se nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Zoti Mustafa tha se për këtë çështje do të bashkëbisedojë me kryeministrin Albin Kurti, si partner i koalicionit dhe “si LDK në ditët në vijim do t’i bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të”.

Ai tha se për këtë cështje ka dërguar në Washington anëtarin e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, për një takim me ambasadorin Richard Grenell në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Hyseni shkroi ndërkaq se “i përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”.

Ai tha se Amerika është aleat i palëkundshëm i Kosovës dhe popullit të saj dhe mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj interesave jetike të saj.

“Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatësisht nga sjelljet e papërgjegjshme të qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj”, shkroi zoti Hyseni duke nënvizuar se e ka siguruar ambasadorin Grenell se për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.

Të martën presidenti i Kosovës i bëri thirrje qeverisë “që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë. Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli tha se si asnjëherë më parë, aleanca e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një kryeministër, siç e quajti ai, të paaftë për të kuptuar e vepruar drejt.

“Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo qeveri është rrezik për interesin e përgjithshëm nacional. Ky rrezik vjen nga kjo qeveri që ka mungesë të gatishmërisë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Dëmi që po shkakton është i rëndë. Dëmi tashmë është bërë shumë i madh në relacion me aleatin tonë strategjik dhe pozitën tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të keqpërdoret pozita në qeveri, dhe për disa javë ta sjellësh Kosovën para rrezikut të sigurisë nacionale, është e paprecedent”, tha zoti Veseli.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se paralajmërimet amerikane janë rezultat i papërgjegjësisë dhe jo seriozitetit të shumicës parlamentare për të kuptuar që në çfarë situate është vendi.

„Ne, në vend që të shprehim mirënjohje për involvimin direkt të presidentit Trump dhe administratës amerikane në dialogun Kosovë – Serbi, në Prishtinë ende ka zëra hezitues. Iniciativave dhe këshillave për dialog që vijnë nga SHBA- të, pa hezitim duhet t’u themi PO. Dhe tani është momenti i fundit që të gjithë nga Prishtina të flasim me një zë”, shkroi zoti Limaj.

Partitë opozitare kanë kërkuar për të mërkurën një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit të Kosovës, për siç thonë parandalimin e një dëmi të tillë dhe për të kërkuar llogari nga qeveria për qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe janë shprehur të pakënaqura me qëndrimin e kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tyre./VOA

 

Fraksion.com