AktualitetRajoniTë fundit

Vazhdojnë incidentet me migrantë në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë

Autoritetet greke kanë njoftuar se rreth 1000 migrantë janë kanë provuar të kalojnë kufirin nga Turqia, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë.

Policia greke i ka penguar këta migrantë të kalojnë ilegalisht kufirin duke arrestuar 52 persona.

Të arrestuarit përfshinin migrantë nga Siria, Afganistani dhe Irani, thanë zyrtarët.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti të martën thirrjen e tij për shtetin anëtar të BE, Greqinë, për t’i lënë njerëzit të kalojnë.

Turqia, kohët e fundit, tha se nuk do t’i përmbahej më një marrëveshje të vitit 2016 për t’i parandaluar migrantët të udhëtojnë për në BE.

Sipas marrëveshjes, BE-ja duhej të siguronte 6 miliardë euro për të ndihmuar Turqinë të financojë strehimin, shkollat dhe qendrat mjekësore për refugjatët, raporton Reuters.

Turqia thotë se BE-ja nuk ka arritur të respektojë premtimet, përfshirë udhëtimin pa viza për qytetarët turq dhe një bashkim të zgjeruar doganor.

Ankaraja gjithashtu kërkon më shumë mbështetje evropiane në Siri, ku trupat e saj po mbështesin rebelët antiqeveritar kundër forcave të qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia.

Në Turqi janë rreth 3.6 milionë refugjatë nga fqinji jugor Siria, ku lufta civile ka filluar nga viti 2011.

Në një konferencë për media të mbajtur më 9 mars, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Turqia duhet të largojë azilkërkuesit nga kufiri, në kuadër të zgjidhjes për t’i dhënë fund krizës së migrantëve.

 

Fraksion.com