Traktati i ri për armë bërthamore “duhet të përfshijë sistemin që po zhvillon Rusia”
Zgjatja e afatit të Traktit për Armë Bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duhet të përfshijë sistemin e ri të armëve që është duke zhvilluar Moska, ka thënë një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.
I ashtuquajtur, Traktati i Ri për Zvogëlim të numrit të Armëve do të skadojë në shkurt të vitit 2021 dhe Uashingtoni ka thënë se marrëveshja e re duhet të përfshijë “sistemet e reja siç janë raketat nënujore, dronët me armë bërthamore të quajtur Poseidon, raketat balistike të nisura nga ajri dhe të ngjashme”.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka thënë se dëshiron të zgjerojë pikat e kësaj marrëveshjeje, duke përfshirë edhe Kinën në të.
Deri më tani nënshkruese të paktit janë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, të cilat kanë arritur pajtueshmëri në vitin 2011.
Kina, fuqia e tretë më e madhe bërthamore në botë, është duke punuar për të dyfishuar arsenalin e saj bërthamor në dekadën e ardhshme, pati thënë Christopher Ford, ndihmës-sekretar për siguri ndërkombëtare dhe mospërhapje të armëve, në një seancë të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme në dhjetor të vitit të kaluar.
Megjithatë arsenali i Kinës do të ishte më pak se gjysma e asaj që zotërojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Marrëveshja për mospërhapje të armëve kufizon zhvillimin e kokave strategjike bërthamore dhe numrin e bombave të SHBA-së dhe Rusisë në 1,550.
Ky traktat po ashtu lejon verifikimin e kokave bërthamore të njëra-tjetrës.
Fraksion.com