AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Tetë raste të dyshuara për koronavirus në QKUK

Aktualisht në Klinikën Infektive në QKUK janë duke u trajtuar tetë raste për koronavirus.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, sot janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri të shkojë në tetë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.

“Ne momentalisht në klinikë i kemi hospitalizu gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë ajo.

Express merr vesh se personat që dyshohet të jenë të prekur me koronavirus kanë ardhur nga Zvicra, Anglia dhe Maqedonia.

Ndryshe, dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje deklaroi se Ministria e planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventualë në Kosovë.

“MSH-ja ka bërë përllogaritjen financiare të aktiviteteve që do të zhvillohen nga ministria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe institucionet tjera mbështetëse, pra secili hap do të varet nga zhvillimet qe do t’i kemi në terren në orët apo ditët në vazhdim. Janë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro. Plani i veprimit do të bëhet në zbatim, varësisht nga situata. Të gjitha janë të përcaktuara qartë në një plan të detajuar nga ekspertët”, deklaroi Vitia.

Sipas faqes për statistika, Worldometer, më shumë se 114 mijë persona janë infektuar në mbarë botën me koronavirus.

Numri i personave të vdekur ka shkuar në 4 mijë e 27, përfshirë 3 mijë e 136 në Kinë, ku fillimisht kishte nisur përhapja e virusit të ri në dhjetor të vitit të kaluar.

Jashtë Kinës, nga virusi Covid-19 kanë vdekur qindra të tjerë, përfshirë 463 në Itali, 237 në Iran, 54 në Korenë Jugore dhe 27 në Shtetet e Bashkuara.

Sidoqoftë, më shumë se 64 mijë persona janë liruar nga spitalet pasi janë shëruar nga infeksioni, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Sipas kësaj faqeje, koronavirusi është përhapur në më shumë se 115 shtete dhe territore. Mbi 9 mijë persona janë infektuar në Itali, më shumë se 7500 në Korenë Jugore dhe mbi 7100 në Iran.

Si pjesë të masave për luftimin e përhapjes së virusit të ri, qeveritë në mbarë botën i kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura dhe i kanë mbyllur kufijtë për periudha të përkohshme.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha se tashmë rreziku për pandemi është shumë i mundshëm.

 

Fraksion.com