AktualitetTë fundit

Koronavirusi: Dezinfektohen ambientet publike; Trajtimi ushqimor dërgohet në banesa; Denoncimet online

Pas të infektuarve të parë me koronavirus të identifikuar dy ditë më parë, në Shqipëri vijojnë të merren masat bazike parandaluese ndaj COVID-19. Teksa fluturimet dhe lundrimet në Itali janë pezulluar deri më 3 prill dhe shkollat janë mbyllur për dy javë, deri më 23 mars, në shumë qytete kanë nisur dezinfektimet e ambienteve publike, ndërsa shumë aktivitete janë anuluar për të shmangur ambientet me shumë njerëz.

Pas Tiranës, qendrat sociale të trajtimit ushqimor u mbyllën edhe në Elbasan.

Një nga rregullat kryesorë parandalues, veç ruajtjes së higjienës, është edhe shmangia e kontaktit të drejtpërdrejt me personat dhe ruajtja e distancës 1 metër.

 

Trajtimi ushqimor do dërgohet në banesa

Një nga masat e marra nga Bashkia e Elbasanit është dezinfektimin e të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Për shkak të koronavirusit dhe faktit që moshat e mëdha janë më të predispozuara që të preken nga ky virus, si në Tiranë, edhe në Elbasan janë mbyllur qendrat sociale dhe trajtimi ushqimor në këto qendra, ku raportohet se t’u dërgohet ushqimi në banesa.

Nga ana tjetër, gjatë natës, kur ka më pak lëvizje do të dezinfektohen institucionet, transporti publik shërbimit taksi dhe tregjet. Duke këshilluar që të evitohet paniku, Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura dhe me shumë njerëz, një masë universale për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe mbi të gjithë vihet theksi tek higjena personale.

 

KPK dhe KPA ndërpresin shërbimin e pritjes me qytetarët, denoncimet me postë ose online

Sistemi i Drejtësisë vijon të mbetet i hapur, ndërsa vendimi i parë në lidhje me koronavirusin vjen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ditën e sotme, KPK dhe KPA ka njoftuar se do të ndërpresin shërbimin e pritjes me qytetarët, me qëllim mbrojtjen e tyre.

Denoncimet, njofton KPK dhe KPA, mund të bëhen me anë të postës ose online, sipas Report tv. Një vendim i tillë vjen pasi në Shqipëri janë konfirmuar 6 raste me koronavirus.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë ende një vendim se çfarë do të bëhet në salla ku prania e qytetarëve është shumë e lartë.

 

Fraksion.com