Jaço: Monopolet, konkurrenca e pandershme, ndër sfidat kryesore
Zëri i Amerikës: Zoti Jaço, kemi rastin t’ju pyesim për koronavirusin dhe ndikimin e tij në ekonominë e Shqipërisë, sepse Italia që po kalon një krizë emergjente është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë. Vendi ka gjithashtu shumë importe me Kinën. Çfarë ndikimi ekonomik mund të pritet?
Enio Jaço: Një impakt ekonomik është i mundshëm. Është pak herët për të matur impaktin ekonomik që tani, por është e sigurtë që do ketë. Është e nevojshme gjithashtu që njerëzit në këtë moment të ndjekin këshillat e autoriteteve. Kjo është një situatë globale dhe këshillat e autoriteteve janë të koordinuara me sistemin shëndetësor global. Është e rëndësishme që të mos futemi në panik sepse na dëmton jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspekte të tjera. Por nuk është herët që të fillojmë të studiojmë një impuls ekonomik, se si të përballojmë situatën që do të kemi nga koronavirusi.
Zëri i Amerikës: Sa herë që flitet për klimën e investimeve në Shqipëri përmendet korrupsioni si një nga problemet kryesore penguese. Raportet ndërkombëtare e cilësojnë korrupsionin si një fenomen gjerësisht të përhapur në Shqipëri. Sa e ndjejnë bizneset peshën e korrupsionit?
Enio Jaço: Në Shqipëri, në Dhomën Amerikane të Tregtisë ne kemi AmCham Business Index. Është një anketë që bëhet me gjithë anëtarët e Dhomës, janë 220 kompani anëtare të dhomës të cilët raportojnë problematikat që ndeshin në të bërit biznes në Shqipëri. Problemi i parë që ata raportojnë janë monopolet dhe konkurrenca e pandershme. Kjo ka lidhje të drejtëpërdrejtë me korrupsionin. Problemi i korrupsionit është i përhapur, ne duhet ta shikojmë në sy dhe ta trajtojmë. Është momenti për të kuptuar nëse forcat politike apo forcat influenciale në Shqipëri, kanë arritur një moment që duan ta luftojnë vërtet korrupsionin apo jo. Unë mendoj që janë dy elemente kryesore shumë të rëndësishme. Së pari, kemi opinionin popullor i cili është i tejngopur me klimën e përkeqësuar të korrupsionit por gjithashtu kemi edhe faktorin ndërkombëtar, i cili është ndërgjegjësuar shumë kohët e fundit dhe ka kuptuar se pa luftuar korrupsionin në Shqipëri nuk mund të bëjmë dot progres politik të qëndrueshëm. Kemi për herë të parë një ambasadore amerikane, e cila flet për përmirësimin e klimës së biznesit në një nga tre objektivat e saj kryesore. Kemi gjithashtu një metodologji të Bashkimit Europian e cila ka vendosur ekonominë si një nga përparësitë kryesore.
Zëri i Amerikës: Zoti Jaço, Shqipëria është përfshirë në një të ashtuquajtur “listë gri” për pastrimin e parave. Sa mendoni se e dëmton një klasifikim i tillë thithjen e investimeve të huaja apo edhe vetë bankat e vendit?
Enio Jaço: Po. E dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e investitoreve ndërkombetarë. Diçka nuk ka shkuar mirë në lidhje me progresin që Shqipëria duhet të kishtë bërë, duke u vendosur në atë që e quajmë zonë gri. Janë dy gjëra shumë të rëndësishme. Është vullneti politik, që nuk mendoj se nuk ekziston, si dhe kapacitetet teknike që duhet të vendosen në dispozicion për përmirësimin e menjëhershëm të kësaj situate. Shpresoj që vitin tjetër do të shohim një progress më të mirë. Shpresojmë.
Zëri i Amerikës: Ditët e fundit, qeveria ka hedhur idenë e një amnistie të gjerë fiskale. A është kjo e realizueshme dhe a rrezikon që në ekonomi të futet edhe paraja e krimit?
Enio Jaço: Ne nuk jemi njohur akoma me detajet e projektligjit, jemi njohur në koncept me propozimin. Do doja ta rezervoja qëndrimin tim derisa të njihemi me draftligjin e plotë. Megjithatë, dy elemente janë shumë të rëndësishme. Konsultimi publik, i cili nuk ka ndodhur gjithmonë ashtu siç duhet të ndodhë. Kemi një ligj mbi konsultimin publik, i cili është shumë i rëndësishëm sidomos në këtë rast. E dyta, Shqipëria aderon në disa marrëveshje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Pra është shumë e rëndësishme që keto të dyja të ishin në harmoni.
Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje, a do të ishte aministia fiskale e padrejtë për ata biznesmenë të ndershëm, pra që i kanë fituar paratë në mënyrë të ndershme?
Enio Jaço: Po, ka disa njerëz që e shikojne kështu. Nga ana tjetër ekziston një mendim që kjo do t’i japë përmirësim ekonomisë. Mbeten për t’u parë të gjitha detajet. Ka një mënyrë për ta bërë këte në rrugën e duhur. Ne presim që të shohim detajet dhe kemi një opinion të fortë.
Zëri i Amerikës: Shqipëria mori një mbështetje të gjerë ndërkombëtare me fondet për përballimin e pasojave të tërmetit. A i ka qeveria sipas jush kapacitetet e duhura për t’i menaxhuar fondet dhe për t’i absorbuar ato si duhet?
Enio Jaço: Së pari ishte një lajm i mirë, që Shqipëria arriti të mblidhte një nivel të tillë fondesh nga donatorët ndërkombëtarë. E dyta, është e rëndësishme të ndajmë pjesën e kredisë nga donacionet. Shteti shqiptar ka një eksperiencë në menaxhimin e kredive ndërkombëtare dhe nuk besoj se do të jetë problem, por është për t’u parë se çfarë ndikimi do ketë në borxhin shqiptar. Nga ana tjetër, në lidhje me grantet ka pak më pak eksperiencë dhe këtu kërkohen disa kapacitete zbatuese më të larta nga ato që ka demonstruar deri tani.
Zëri i Amerikës: Zoti Jaço shkurtimisht, cilat do të ishin fushat me interes në Shqipëri për investimet amerikane?
Enio Jaço: Në rradhë të parë, Shqipëria ka një potencial të lartë në lidhje me investimet dhe unë nuk do doja që investitorët amerikanë ta shohin Shqipërinë si një treg të vogël me 2.8 milionë banorë, por do doja ta shihnin si një pozicon strategjik për t’u vendosur në gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor. Në lidhje me sektorët potencialë, bujqësia është një sektor interesant, sepse punëson rreth 45 % të popullsisë, dhe ka produkte që kanë potencial për eksport për në Europë dhe gjithashtu në Amerikë. Turizmi është gjithashtu një sektor që po ndryshon gjatë gjithë kohës, ka zhvillim dhe potencial. Dhe kohët e fundit po flitet shumë për energjinë. Shqipëria ka burime natyrore, por ka gjithashtu mundësinë për t’u bërë një qendër rajonale në lidhje me shpërndarjen e energjisë.
Fraksion.com