AktualitetNATO/BETë fundit

Erdogan: BE dhe NATO, më shumë mbështetje për refugjatët

Presidenti i Turqisë kërkoi që Bashkimi Evropian dhe NATO të japin më shumë mbështetje për refugjatët sirianë, megjithë zemërimin e evropianëve lidhur me vendimin e Turqisë për hapjen e kufijve të saj për kalimin e emigrantëve drejt Evropës.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u tha gazetarëve pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg të hënën në Bruksel se “është shumë e rëndësishme që mbështetja që kërkojmë të përmbushet pa vonesa të mëtejshme.”

Presidenti i Turqisë po kërkon më shumë ndihmë për të mbështetur miliona refugjatë sirianë në vendin e tij, por kohët e fundit i zemëroi partnerët e tij perëndimorë kur vuri në jetë një kërcënim të mëparshëm për të hapur kufijtë e Turqisë ndaj Evropës.

Zoti Erdogan ka thënë se Ankaraja nuk mund të respektojë më marrëveshjen e vitit 2016 që i ndalon emigrantët në Turqi të udhëtojnë për në Bashkimin Evropian. Mijëra emigrantë janë grumbulluar në kufirin turk me Greqinë, duke bërë që autoritetet greke të përdorin gaz lotësjellës për të frenuar dyndjen.

“Është përtej arsyes që një vend fqinj dhe aleat ta verë gishtin tek ne si shkak i valës së emigrimit të parregullt”, tha zoti Erdogan të hënën.

Nga a e tij, zoti Stoltenberg vuri në dukje se Turqia ka marrë një pjesë të madhe të barrës në trajtimin e krizës së refugjatëve sirianë. “Asnjë aleat tjetër nuk ka pësuar më shumë nga sulmet terroriste, asnjë aleat tjetër nuk po mban më shumë refugjatë,” tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha para bisedimeve me zotin Erdogan të hënën se Turqia duhet të ndalë inkurajimin e migrantëve për të kaluar në Greqi.

“Ngjarjet në kufirin greko-turk tregojnë qartë presionin politikisht të motivuar mbi kufirin e jashtëm të BE-së”, tha ajo, duke shtuar se “gjetja e një zgjidhjeje për këtë situatë do të kërkonte lehtësimin e

presionit ndaj këtij kufiri,” shtoi ajo.

Gjithashtu të hënën, Gjermania tha se BE-ja po shqyrton mundësinë që të pranojë deri në 1.500 fëmijë migrantë të strehuar aktualisht në kampet greke.

“Në nivelin evropian është duke u negociuar një zgjidhje humanitare për një koalicion të vullnetit të mirë për të marrë këta fëmijë,” tha qeveria në një deklaratë. “Ne duam të mbështesim Greqinë në situatën e vështirë humanitare të rreth 1.000 deri 1.500 fëmijëve në ishujt grekë”, thuhej aty.

Deklarata erdhi pasi kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi një takim kabineti me partnerë të koalicionit qeverisës për të diskutuar mbi krizën e migrantëve dhe emergjencën e koronavirusit.

Turqia tashmë është bërë strehë për 3.7 milion refugjatë, shumica e tyre nga Siria.

Sipas marrëveshjes së vitit 2016 midis Evropës dhe Turqisë, BE-ja duhet t’i siguronte Turqisë rreth 6.8 miliardë dollarë për të financuar strehimin dhe arsimimin e migrantëve. Por Ankaraja thotë se nuk i ka marrë fondet e premtuara./voa

 

Fraksion.com