AktualitetRajoniTë fundit

Ambasada e Shqipërisë në Itali ndërpret shërbimet konsullore në Romë, Milano e Bari

Ambasada e Shqipërisë në Itali njoftoi sot se në vijim të Dekretit të Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane për intensifikimin e mëtejshme të masave urgjente për të parandaluar përhapjen e COVID-19, në të gjithë territorin italian, njofton se Zyra e saj Konsullore si dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano e Bari, ndërpresin shërbimet konsullore duke filluar nga dita e sotme, 10 mars 2020, deri në një njoftim të dytë.

“Shërbimet konsullore (me përjashtim të akteve noteriale dhe lejes së kalimit për fëmijë) do të vijojnë të jenë në dispozicion të qytetarëve nëpërmjet postës, si edhe vetëm për rastet urgjente (si leja për transport trupi, bazuar mbi certifikatën mjekësore të autoriteteve kompetente). Qytetarët që kanë takim për aplikim për pasaportë dhe letërnjoftim gjatë këtyre ditëve, do të njoftohen në një moment të dytë për datën e re të takimit, sapo situata të normalizohet. Ju ftojmë të kontrolloni vazhdimisht profilin tonë në Facebook, twitter dhe faqet tona zyrtare për njoftime të reja”, sqaron ambasada.

Ambasada e Shqipërisë në Itali fton të gjithë qytetaret të përballojnë këto momente me përgjegjësi të lartë civile, duke respektuar rreptësisht dhe me rigorozitet masat e Dekretit, me besim të plotë tek autoritet italiane.

Po ashtu, Ambasada e Shqipërisë në përputhje me dekretin në fjalë, rekomandon qetësi, maturi dhe shmangie të lëvizjeve drejt çfarëdo destinacioni, përfshirë Shqipërinë, deri në normalizimin të gjendjes.

“Së bashku me punën e palodhur të autoriteteve italiane do t’ia dalim mbanë! Kapërcimi i situatës varet nga sjellja e përgjegjshme e çdo qytetari. Ambasada fton qytetaret shqiptarë të japin shembullin personal duke iu bashkuar thirrjes së qeverisë italiane dhe shoqërisë civile Besim e kurajo civile! Solidaritet me popullin italian! Së bashku edhe në momentet e vështira!”, thuhet në njoftimin e Ambasada e Shqipërisë në Itali.

 

Fraksion.com