Rama apel rinisë: Mos shkoni në clubet e natës dhe spitale, kujdesuni për gjyshërit; Kush del nga ‘zona e kuqe’ të vetëkarantinohet
Kryeministri Edi Rama tha sot se përveç punës së autoriteteve, më e rëndësishmja në këtë situatë është marrja e masave individuale dhe kujdesi për të afërmit dhe shoqërinë në përgjithësi.
Rama i bëri apel të rinjve të shmangin ambientet me shumë njerëz, si clube e lokale, për shkak se ata se mund ta mbartin virusin, duke e përçuar tek familjarët e tyre më në moshë, të cilët janë më të rrezikuar nëse infektohen. Shefi i mazhorancës tha se duhet shmangur kontakti i drejtpërdrejtë i prekjes me duar mes njerëzve, ndërsa bëri apel që në çdo rast, pas çdo kontakti të lahen duart me sapun për 20 sekonda.
“Kjo epidemi ka një specifikë të posaçme në kohën që është rezultat i ndërlidhjes shumë më të fortë mes vendeve, mes njerëzve, përmes botës së informimit. Vetëm 10 vjet më parë një epidemi tjetër ka marrë gjysmë milioni njerëz në glob, dhe siç të gjithë e dini, nuk kemi pasur në nivel jo global një situatë alarmi të tillë.
Alarmi vjen edhe si pasojë e faktit që çdo gjë që ndodh në një cep të globit menjëherë shfaqet në të gjitha ekranet në çdo vend të globit. Teshtin dikush në anën tjetër të botës dhe dëgjohet teshtima në anën tjetër të botës. Kjo rrit fluksin e informacionit. Gjithë kjo hije e madhe kërcënuese për psikologjinë tonë përballohet me disa masa që janë fare të thjeshta: Kufizimi i kontakteve fizike. Ky virus nuk merret nga ajri por nga kontakti fizik. Dhe larja e duarve pas kontaktit fizik të paktën për 20 sekonda, është një masë që ndihmon shumë në parandalim.
Është e rëndësishme për të rinjtë, që ne sot po i privojmë nga vajtja në shkollë që të shmangin grumbullimet e mbrëmjes në lokale. Të shmangin pub-et dhe clubet e natës ku kërcehet e këndohet se kontakti i atyshëm është shumë i afërt. Nuk është rrezikshmëria tek të rinjtë, është bartja e virusit tek më të moshuarit nëpër shtëpi. Duhet të bëjmë çmos të ruajmë gjyshërit nëpër shtëpi. Të kufizojmë kontaktet tona, dhe t’i mbajmë larg kontakteve me ne.
Sa më pak prekje me duar, dhe sa më shumë kujdes. Është e pamundur që ne të mos marrim këto masa të thjeshta në nivel individual. Ne i lutemi të gjithë njerëzve të kuptojnë se nuk ka nevojë të shkojnë në spitale për të verifikuar janë apo nuk janë të prekur, mjafton të marrin numrin e telefonit. Duhet disiplinë për t’u vetëkarantinuar. Mbyllja e kufijve nuk është një opsion dhe nuk çon asgjëkundi. Murtaja e shekullit të 15 përfshiu globin dhe fshiu nga faqja e dheut miliona njerëz, dhe nuk kishte as avion, as tren, as autobus, as makinë. Të vetëkarantinohemi, dhe këtë po bën gjithë bota. Kush del nga një zonë e kuqe, duhet të vetëkarantinohet për të mirën e tij, të familjarëve dhe të tjerëve. Dhe të mbajë kontakt me autoritetin përkatës shëndetësor”, tha Rama.
Fraksion.com