AktualitetBota+Të fundit

Në Afganistan,dy betime për president

Presidenti i zgjedhur afgan Ashraf Ghani dhe kundërshtari i tij në zjgedhje, Abdullah Abdullah, morën pjesë në dy ceremoni të ndara betimi. Kjo ka rritur tensionet dhe po sfidon përpjekjet amerikane për arritjen e paqes.

Të dyja ceremonitë filluan me vonesë, mesa duket për t’i dhënë mundësi diplomacisë amerikane të zgjidhte krizën. Sidoqoftë, inaugurimi filloi pas disa orësh.

Ashraf Ghani ishte i pari që bëri betimin, gjatë ceremonisë së transmetuar drejtpërdrejt e ku në mesin e mysafirëve të huaj ishte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara Zalmay Khalilzad dhe komandanti amerikan i forcave ndërkombëtare Scott Miller.

Abdullah Abdullah u betua në një ceremoni të mbajtur në zyrën e tij. Edhe kjo ceremoni u transmetua drejtpërdrejt nga të gjitha televizionet afgane. Madje disa shfaqën pamje nga të dyja ceremonitë në ekran të ndarë.

Komisioni zgjedhor i Afganistanit shpalli në fund të muajit të kaluar zotin Ghani fitues të zgjedhjeve presidenciale të 28 shkurtit, proces ky që u kontestua.

Zoti Abdullah kundërshtoi rezultatin që ai e quajti mashtrim. Ai pati deklaruar se ekipi i tij fitoi votat dhe kërcënoi se do të formojë qeverinë e tij.

Të hënën ai konfirmoi me Twitter zotimin e tij për të ecur përpara: “Askush nuk është dashur të nënvlerësojë përkushtimin tonë për demokraci të mirëfilltë dhe zgjidhjen tonë për të ruajtur sundimin e ligjit. Zgjidhja është që votat e marra me mashtrim të shpallen të pavlefshme!”.

Edhe Khani edhe Abdullah ishin në qendër të kritikave në rrjetet soiciale nga politikanët dhe publiku në Afganistan.

“Tallja me një vend me dinjitet që është brutalizuar nga një grup i vogël po e dobëson Afganistanin”, shkroi në Twitter Hekmat Khalil Karzai, ish zëvëdës ministër i jashtën afgan.

“Veprimet e tyre janë fyerje për ata që bënë sakrifica të mëdha në mbrojtje të kombit tonë. Afganistanit i duhet mbrojtje nga njerëz të arsyeshëm ndaj këtyre komedive tragjike”, vazhdon zoti Karzai, i cili për momentin drejton Qendrën për Studime të Konfliktit dhe Paqes.

Përçarjet politike po sfidojnë marrëveshjen e arritur nga Shtetet e Bashkuara me Talebanët para një jave që synonte të sillte stabilitet në Afganistan.

Marrëveshja e nënshkruar më 29 shkurt në Katar kërkon nga Talebanët që të hapin negociatat me një delegacion gjithëpërfshirës të forcave politike dhe shoqërisë civile në Afganistan, me qëllim arritjen e armëpushimit të përhershëm.

Bisedimet e brendshme afgane pritet të fillojnë të martën, por kriza e inaugurimit të presidentit, thonë analistët, pengon krijimin e një delegacioni afgan në bisedime me talebanët.

Zoti Ghani dhe kundërshtari i tij i kahershëm, Abdullah, patën shpallur që të dy fitoret në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, gjë që e çoi vendin në një krizë politike për disa muaj.

Pas ndërhyrjes së Uashingtonit u arrit një marrëveshje që lejoi zotin Ghani të bëhej president ndërsa zoti Abdullah mori drejtimin e një zyre të re të sapohapur në atë kohë, atë të qeverisë së unitetit në Afganistan, gjë që solli rritje të grindjeve mes dy kundërshtarëve.

 

Fraksion.com