AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Cilat janë simptomat e një njeriu të infektuar?

Në një kohë që koronavirusi ka hyrë edhe në Shqipëri, ISHP-ja i jep përgjigje disa prej pyetjeve që secili prej jush mund të ketë në lidhje me këtë virus.

Çfarë është koronavirusi?

Koronaviruset (CoV) janё një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.

Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm si: 229E (alpha coronavirus), NL63 (alpha coronavirus, OC43 (beta coronavirus) dhe HKU1 (beta coronavirus).

Në shekullin 21 dy koronavirus me patogenitet të lartë si SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme u transmetuan nga rezevuaret e kafshëve si :macet e egra dhe gamilet tek njerëzit, duke shkaktuar epidemi globale me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.

Koronavirusi i ri 2019 – nCoV

Në 31 dhjetor 2019, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei, Kinë ku shumica e tyre raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit ku shiteshin shumë lloje të kafshëve të gjalla. Të dhënat paraprake tregojnë se 2019 – nCoV ka homologji për disa amino acide me SARS – CoV dhe mund të përdorë si receptor ACE2. Kjo ka një vlerë, pasi mund të parashikojë mundësinë për përhapje dhe pandemi.

Nga vjen koronavirusi?

Koronavirusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej koronaviruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus?
Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

Si mund ta mbroj veten nga koronavirusi?
Koronavirusi shkakton simptoma tipike respiratore. Më poshtë paraqiten rekomandimet kryesore:

Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli;
Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart;

Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë;

Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit;

Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët;

Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi;

Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë;

A ka vaksinë për këtë lloj të ri të koronavirusit?
Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re.

A ka trajtim për koronavirusin?
Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.

 

Fraksion.com