Koronavirusi; Basha anulon 2 aktivitete: Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndërsa ka reaguar pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Shqipëri ku ka apeluar që mos ketë panik por masa të shpejta dhe të vendosura, vendosi anulimin e dy aktiviteteve publike të parashikuara për pasditen e sotme, në kuadër të masave të marra pas evidentimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri.
Në Kalanë e Tiranës ishte përgatitur një event kushtuar grave shqiptare për kontributin e tyre në shoqërinë tonë. Aktiviteti, ku ishte parashikuar pjesëmarrja e rreth 300 grave dhe vajzave, do të zhvillohet në një moment tjetër, kur shëndeti i qytetarëve të mos konsiderohet i rrezikuar.
I njëjti vendim u mor edhe për një tjetër aktivitet të zotit Basha. Ai kishte planifikuar në orën 15.00 një dëgjesë me mësuesit, pjesë e turit ‘po të dëgjoj’, por edhe ky event do të shtyhet për një moment tjetër.
Ky vendim vjen pasi në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos mbyllja e aktiviteteve publike apo jopublike, grumbullimet, konferencat, koncerte, tubime, dëgjesa publike deri më 3 prill 2020.
STATUSI I LULZIM BASHËS
Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit, dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri.
Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjenën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi.
Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura.
Fraksion.com