AktualitetBota+Të fundit

Arabia Saudite pezullon ligjëratat fetare dhe mësimet e Kuranit përmendësh në të gjitha xhamitë

Autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan se kanë pezulluar ligjëratat fetare dhe mësimet e Kuranit përmendësh në të gjitha xhamitë e vendit për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi i ri (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin me kodin urgjent të dhënë nga kanali televiziv shtetëror i vendit, thuhet se ligjëratat fetare, programet e predikimit dhe mësimet e Kuranit përmendësh duke filluar nga sot do të ndalohen deri në njoftimin tjetër.

Në lajmin e agjencisë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite (SPA), Drejtoria e Përgjithshme për Çështjet e Mesxhid Haram-it dhe Mesxhid Nebevit ka njoftuar pezullimin e të gjita vizitave në lokacionet nën këtë institucion.

Mes tyre gjendet kompleksi i Mbretit Abdulaziz ku prodhohet Mbulesa e Qabesë dhe Biblioteka e Haremi Sherif-it.

Ministria e Arsimit njoftoi gjithashtu pezullimin e mësimit në mbarë vendin duke filluar prej sot.

Qyteti Qatif, në lindje të vendit, i cili njihet me popullsi shiite u vendos në karantinë. Tërheq vëmendjen se të gjitha 11 rastet me koronavirus në vend janë në Qatif.

– Ndalohen fluturimet dhe lundrimet me 9 shtete

Ministria e Punëve të Brendshme të Arabisë Saudite ka pezulluar fluturimet dhe lundrimet me 9 vende pas përhapjes së koronavirusit të ri (Covid-19).

Qeveria saudite ka ndaluar përkohësisht qytetarët dhe të huajt që jetojnë në Arabinë Saudite të udhëtojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrein, Liban, Siri, Korenë e Jugut, Egjipt, Itali dhe Irak, njoftoi agjensia zyrtare e lajmeve SPA.

Në deklaratë thuhet se kufizimi i vendosur për hyrjet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Bahreini është i vlefshëm vetëm përmes linjave ajrore dhe hyrja me autostradë nuk është e ndaluar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i përgjithshëm i vdekjeve është rreth 3.800 me më shumë se 110.000 raste të konfirmuara.

Si pjesë të përpjekjeve për të kontrolluar përhapjen e virusit, shumë qeveri kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe kanë pezulluar udhëtimin tokësor dhe ajror me vendet më të prekura si Kina, Irani dhe Italia.

OBSH-ja, e cila tashmë ka shpallur shpërthimin e një emergjence ndërkombëtare shëndetësore, ngriti nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

 

Fraksion.com