Mark Meadows, shef i ri i personelit në Shtëpinë e Bardhë
Në një kohë që Shtetet e Bashkuara po përballen me situatën e krijuar si pasojë e shpërthimit të koronavirusit dhe ndërsa përgatitet për fillimin e fushatës së tij presidenciale, zoti Trump ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm të personelit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Ligjvënësi Mark Meadows do të jetë shefi i ri i personelit, duke zëvendësuar zotin Mick Mulvaney i cili ka qenë shef në detyrë i personelit në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se një vit.
Presidenti e njoftoi ndryshimin të premten në Twitter.
“E njoh prej kohësh dhe kam punuar me Markun. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira“, shkruante presidenti.
“Dua të falënderoj shefin në detyrë të personelit, Mick Mulvaney që i ka shërbyer shumë mirë administratës. Ai do të ngarkohet me detyrën e të dërguarit special të SHBA-së për Irlandën e Veriut”, shkruante më tej ai.
Zoti Meadows njoftoi në fillim të këtij viti se do të tërhiqej nga Kongresi në fund të mandatit. Ai do të jetë shefi i katërt i personelit të zotit Trump në pak më shumë se tre vjet.
Zoti Mulvaney, një ish-ligjvënës nga Karolina e Jugut, mbahet mend kryesisht për pohimin e tij gjatë një konference për shtyp se “quid pro quo” një shprehje në latinisht që nënkupton ofrimin e një favori në këmbim të një tjetri, janë të zakonshme në politikën e jashtme.
Kjo deklaratë, megjithatë, ishte në kontrast të fortë me atë që thoshte presidenti, i cili ka pohuar se nuk u përfshi kurrë në ndonjë marrëveshje të llojit “quid pro quo” me Ukrainën.
Fraksion.com