Iran, rritet në 145 numri i të vdekurve nga koronavirusi
Numri i të vdekurve në Iran nga koronavirusi COVID-19 është rritur në 145, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Gjithsej 21 persona kanë humbur jetën nga sëmundja COVID-19, ndërsa 1.076 raste të reja janë raportuar në gjithë vendin në 24 orët e fundit, tha zëdhënësi i ministrisë Kianoush Jahanpour në një konferencë shtypi në kryeqytetin Teheran.
Shifra e fundit ka çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 5.823, tha Jahanpour.
Sipas tij, shumica e rasteve të reja janë zbuluar në provincat Teheran, Qom, Gilan, Isfahan, Alborz, Markazi dhe Qazvin.
Më herët gjatë ditës, deputetja iraniane Fatemeh Rahbar vdiq nga virusi.
Rahber, anëtare e Partisë së Koalicionit Islamik, u shtrua në spital dhe u dërgua në kujdes intensiv të enjten.
Ajo ishte një nga shumë zyrtarë të prekur nga virusi, duke përfshirë një nënkryetar, dhjetëra deputetë të parlamentit dhe zëvendësministrin e shëndetësisë.
Turqia, ku nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit, muajin e kaluar mbylli kufijtë e saj tokësorë dhe pezulloi udhëtimin ajror me Iranin.
Krahas Italisë dhe Koresë së Jugut, Irani është vendi më i prekur nga epidemia që shpërtheu në Kinë dhjetorin e kaluar.
Si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar përhapjen, Teherani ka ndërmarrë disa masa, duke përfshirë mbylljen e të gjitha shkollave dhe instituteve të arsimit të lartë, duke anuluar ngjarjet sportive dhe duke ndaluar zyrtarët e qeverisë të largohen nga vendi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri global i vdekjeve i është afruar shifrës 3.500, me më shumë se 100.000 raste të konfirmuara në mbarë botën.
Fraksion.com