AktualitetRajoniTë fundit

DW: Ballkani, zbulimi i bukurisë së shumëllojshmërisë kulturore

Tre gazetarë të DW hulumtojnë bashkarisht në terren, për të zbuluar historitë e harruara të Ballkanit

 Është ora 11 e mbrëmjes në Janinë, Greqia Veriore, vetëm 45 minuta larg kufirit shqiptar. Rreth një orë më parë mbërrita nga Selaniku, ku jetoj si gazetar gjerman prej gjashtë vitesh. Kam pasur plot punë gjatë kësaj kohe, duke udhëtuar në Greqi dhe nëpër Ballkan me makinë, tren, avion dhe sigurisht, edhe autobus. Dhe kam kuptuar diçka: Europa Juglindore është terreni i fundit gazetaresk, i paeksploruar. Me kaq shumë histori të fshehura. Me histori shtypjeje, nacionalizmi, gjurmë lufte. Çdo gur që kthej, zbulon detaje të reja, këndvështrime të reja, lidhje të reja. Shpeshherë përballem me të kaluarën time si gjerman. I gjithë kontinenti i lidhur çuditshëm nga historia, pavarësisht sa shumë përpiqesh që ta harrosh.

Të qenit korrespondent i huaj është një punë individuale. Zakonisht udhëtoj vetëm, me një stativ kamere ose telefoni të varur në shpatulla, një çantë shpine me pak rroba, tjetrën çantë të shpinës të mbushur me mikrofonë, pajisje teknike dhe një iPhone, zgjedhja ime për xhirime. Por ky udhëtim është ndryshe. Një makinë me qira nga Shqipëria po vjen të më marrë. Pasagjerët: Elona, kolege nga Tirana dhe Arbri, një shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Misioni ynë, aq i thjeshtë sa duket, është për median shtetërore të rajonit thuajse një revolucion: do të bashkojmë gjuhët dhe njohuritë tona dhe do të hedhim një vështrim mbi pakicat e kufirit Shqipëri-Greqi-Maqedoni e Veriut. Nuk do të hedhim vetëm një, por dy ose tre hapa pas, për të parë përtej kufijve kombëtarë dhe për të bërë bashkë copëzat e një mozaiku kulturor, të cilin rrëfenjat etnike e kanë fshehur nën qilim. Katër ditë kërkimore për çështjet e mbetura tabu na presin. Një nga shumë udhëtimet që do të vijnë, të cilat kanë si qëllim krijimin e të bërit të dukshëm një prej aseteve më të mëdha që rajoni ofron: larminë kulturore dhe historike.

Gjëja e parë e mësuar: pakicat nuk janë kërcënim

Elona dhe unë udhëtojmë drejt Janinës për të marrë Florianin. Ai përballet me problemet tipike të udhëtimit në Ballkan: mangësi në linjat lidhëse të autobusëve. Në makinë përpiqemi të skicojmë planin për dy ditët e ardhshme. Të tre duam të njëjtën gjë: të ravijëzojmë një tabelë të territorit të paeksploruar. Të hyjmë thellë në një tokë të mbushur me tabu dhe të japim një mesazh, duke mos provokuar: nëse shpërfill kufijtë kombëtarë dhe përqendrohesh tek njerëzit, do të zbulosh jo vetëm të bukurën e shumëllojshmërisë, por gjithashtu shumë fije që i lidhin kulturat e këtij rajoni.

Gjirokastra Albanien (DW/A.Bajrami)

 

Ndalesa jonë e parë në Shqipëri: Gjirokastra, një qytet pranë kufirit, i njohur si vendlindja e diktatorit Hoxha por edhe i njohur si një ndër qytetetet me pakicë greke. Gjejmë hostelin tonë. Floriani dhe pronari nisin të flasin në greqisht. Është hera ime e dytë e qëndrimit aty. Mbaj mend dy priftërinj ortodoksë që vijnë mëngjeseve në barin e hostelit për të pirë espresso-t e tyre italianë, dhe sigurisht duke biseduar në gjuhën greke. Dëgjojmë greqisht ngado dhe kjo për mua, si një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, më kujton konfliktet e së kaluarës mes dy popullsive që flasin dy gjuhë të ndryshme. Gjithashtu, çështja tjetër me minoritetin sllavo-maqedonas në Greqi: shtypje, nacionalizëm, madje dhe dhunë. Çfarë do të gjejmë ketu, në një nga vendet e pakta të Ballkanit, ku pakicat duket se kanë një jetë krejt normale pavarësisht gjuhëve që flasin?

Süd-Balkan-Reise Minderheiten in Albanien (DW/E. Elezi)

 

Mëngjesi i së nesërmes nis si një kujtim fëmjërie: xhirojmë në një shkollë fillore. Një shkollë fillore greke. Po! Një shkollë greke në Shqipëri! E papërfytyrueshme për maqedonasit në Greqi. Drejtuesja e shkollës i tregon Elonës se fëmijët e zhvillojnë mësimin në të dy gjuhë dhe se nuk ka asnjë konflikt rreth të qënit shqiptar ose grek. „Ata i flasin shumë mirë të dyja gjuhët“, na siguron ajo. Diçka aspak e keqe në një botë që vijon së rrituri bashkë, edhe nëse njerëzit e pelqejnë ose jo këtë fakt. Dhe të gjithë ne e dimë se sa e vështirë është që të mësosh një gjuhë të huaj kur je i rritur. Do të ishte mirë që shqiptarët dhe maqedonasit në Greqi të kishin shkollat e tyre. Por duke marrë në konsideratë se si janë gjërat aktualisht, duhet një rrugë shumë e gjatë për të arritur deri aty. Në oborrin e shkollës, takohemi rastësisht me konsullin grek. Floriani i flet në greqisht. Konsulli duket i nxehur dhe largohet. „E pyeta se çfarë mund të mësohet nga shembulli i pakicës greke në Shqipëri, kur vjen puna tek pakicat në Greqi. Ai thotë: cilat pakica?“. Floriani na e përkthen, duke na shpjeguar se Greqia njeh vetëm një pakicë: atë të myslimanëve të Trakës.

Dervican Albanien (DW/A.Bajrami)

 

Shkojmë në Derviçan, fshati me numrin më tëlartë të pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri. Shoh se si Elona dhe Floriani intervistojnë banorët. E gjithë situata duket si të luajturit tenis me gjuhët. Ajo çka na tha më herët drejtuesja e shkollës fillore na rezulton e vërtetë: njerëzit në Derviçan, teksa komunikojnë, kalojnë lehtësisht nga greqishtja në shqip dhe anasjelltas, diçka që dy kolegët e mi mund ta arrijnë vetëm duke punuar sëbashku. Shumë bukur, them me vete, do të kemi video dygjuhëshe. Të kapërcesh kufijtë gjuhësore teksa flet për një çështje tabu? Gazetaria është kaq e bukur…

 

Sikur nuk kanë ekzistuar kurrë – Gjurmë shqiptare në Greqi

Kemi lënë pas Gjirokastrën dhe po udhëtojmë drejt Konicës, në Greqi. Veç asaj nate kur unë dhe Arbri shkuam të marrim Florianin në Janinë, kjo është hera ime e parë në Greqi. Shumë shqiptarë kalojnë pushimet e tyre verore këtu. Një vend me ishuj shumë të bukur, më kanë thënë. Sipas Konfederatës Greke të Turizmit, turistët shqiptarë shpenzuan 236 milionë euro vitin e kaluar në Greqi. Një shumë e konsiderueshme të ardhurash, kur kujton historinë e emigrantëve të varfër shqiptarë që shkuan atje në vitet ’90, për një jetë më të mirë.

Kam dëgjuar shumë rreth Greqisë dhe grekëve gjatë gjithë jetës sime. Të afërm dhe miq jetojnë atje. Por këtë herë, sëbashku me kolegët e mi, do të jemi në terren për të kërkuar gjurmë të jetës shqiptare në Greqi, përgjatë viteve dhe shekujve. Asgjë tjetër, veçse një temë tabu, siç do ta shohim më vonë.

Süd-Balkan-Reise Minderheiten in Griechenland (DW/A. Bajrami)

 

Konica është ndalesa jonë e parë. Qyteza e parë greke që shoh, rastis të jetë vendlindja e Faik Konicës. Ai është një prej autorëve dhe publicistëve më të mëdhenj shqiptarë; një dëshmitar i kohës në të cilën shqiptarët dhe grekët ndanin këtë copë toke. Shtëpia e tij e lindjes nuk gjendet lehtë. Nuk ka tabela që na tregojnë drejtimin e duhur. Njerëzit që ne pyesim nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e tij. Si është e mundur? Në Shqipëri, Konica është simbol intelektualizmi. Në vendin e tij të lindjes, duket sikur ai nuk ka ekzistuar kurrë. Gjergji, një emigrant shqiptar që e kemi takuar rastësisht, na ndihmon dhe na shpjegon se ku e gjejmë shtëpinë e Konicës. Ose më saktë, atë çka mbetur prej saj. Me shumë mundësi, Faik Konica do të trishtohej nëse do të shihte atë çka ne shohim tani: shtëpia e tij e lindjes që s’është gjë tjetër veçse disa rrënoja. Një tabelë tregon se aty ka jetuar familja e Hysen Shishkos, mbiemri i dikurshëm që mbante Konica. Kaq. Asgjë tjetër.

Konitsa, Griechenland (DW/A.Bajrami)

 

Përpiqemi të gjejmë më shumë rreth marrëdhënies mes shqiptarëve dhe grekëve. Çdokush me të cilin flasim, na tregon se kontakti mes tyre tani është i mirë. “Kur shqiptarët erdhën në vitet ’90, shkaktuan shumë telashe. Nuk ishin shumë të edukuar”, na tregon një grua e moshuar që shet në një dyqan fruta-perimesh. “Por tashmë gjithçka shkon mirë”, shton ajo. Të flasësh rreth Arvanitasve, të cilët patën një rol aktiv në lëvizjen greke për Pavarësinë në vitin 1821, dhe për Çamërinë… Është ende një tabu apo ata mbase s’dinë vërtet rreth tyre? Një humbje kolektive e kujtesës? Dhe të mendosh që rreth 100 vite më parë kufijtë as nuk ekzistonin. “Në Konicë, 70% e njerëzve flasin gjuhën shqipe. Por ata janë të frikësuar…” – na tregon një tjetër emigrant shqiptar i viteve ’90. Ai ka konvertuar emrin dhe fenë, duke u hequr si grek ortodoks. Të përshtaturit me ta është zgjidhja që shqiptarët kanë gjetur për të mos u konfliktuar me grekët.

Karte Minderheiten Süd Balkan EN

 

Vendosim të shkojmë edhe në Plikati, fshati i fundit i malit Gramoz, para se të kalosh në kufirin shqiptar. Nuk takojmë njerëz rrugëve të ngushta të fshatit të bukur historik, prandaj hyjmë në kafenenë që gjendet në qendër të tij. Katër njerëz na mirëpresin. Floriani na prezanton në greqisht dhe u tregon arsyen se pse kemi shkuar në atë vend, për të cilin media zakonisht nuk shfaq asnjë interes.

Ata nisin t’i hedhin vështrime njëri-tjetrit. E kuptoj që mijëra mendime kalojnë në kokat e tyre në ato çaste. Duken të sjellshëm, por ngurrojnë të flasin lirshëm. Pronarja e kafenesë është shqiptare. Ndërsa më i riu aty është një grek i rritur në Gjermani. Mamaja e tij thotë që është greke, por flet gjithashtu shqip. Sa më shumë e dëgjoj duke folur shqip, aq më shumë shqipja e saj më ngjason me gjuhën e lashtë shqipe që flitet nga të moshuarit në zonën jugore dhe juglindore të Shqipërisë. Gruaja vazhdon të theksojë se është greke dhe se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë ose shqiptarët. Ajo pretendon se e ka mësuar shqipen nga punëtorët shqiptarë që vijnë në fshat. Më pas thotë se vjehrra e saj ishte shqiptare. Kur Floriani e pyet në greqisht, historia e saj ndryshon. Diçka nuk shkon në këtë mes. “Unë jam greke ortodokse” – thotë ajo duke ripërsëritur këtë detaj në të dyja gjuhët, duke u përpjekur që të na bindë. Unë nuk e gjykoj. Historia ka qenë e ashpër me ta. Kur largohemi, i falenderoj për çajin e mrekullueshëm të malit, me mjaltë, që piva teksa bisedonim. Ata duan të më japin edhe me vete çaj, si dhuratë. Më duhet ta pranoj: aty u ndjeva si në shtëpi…

“Depresioni Post-Prespë” ose: Një tabu ka nisur të thyhet

Flamuj grekë në çdo cep. E mora mesazhin. „Je në Greqi Arbër, jo në Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri“, i them vetes. Emrin e vendit tim të lindjes, shumë njerëz në Greqi nuk e përmendin. Në Konicë, Floriani na prezantoi tek dy punonjës supermarketi: „Këta janë kolegët e mi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut“. „Maqedoni e Veriut? Ekziston ndonjë shtet që quhet kështu?“, thonë dy grekët dhe shohin nga unë. Gjithmonë shaka të tilla.

Süd-Balkan-Reise Minderheiten in Griechenland (DW/F. Schmitz)

 

Drejtohemi për në Nivicë (Psaradhes në greqisht), një fshat i vogël dhe piktoresk buzë liqenit të Prespës. Ky është vendi ku ish-kryeministri grek Aleksis Cipras dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev zgjodhën për të firmosur Marrëveshjen e Prespës. Çka e ndan Greqinë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë zonë, janë vetëm ujërat blu të liqenit. Nxitojmë drejt një burri të moshuar. Floriani i flet në greqisht, ndërsa unë provoj fatin duke e përshëndetur në maqedonisht: „Zdravo“. Kam fat. Mësoj se ai ka lindur këtu por është rritur në Maqedoni, kur ajo ishte pjesë e Jugosllavisë. „Jam maqedonas“, thotë ai. „Dhe ka shqiptar që jetojnë në atë shtëpin atje“. Ai na fton për të pirë kafe më vonë në restorantin e tij.

„A mendoni se ka një pakicë sllavo-maqedonase këtu?“, pyes një grua greke pranë liqenit. Arbri qëndron pas kameras, ndërsa Elona po xhiron fshatin në detaje. „Jo, jemi në anën greke të kufirit. Nuk ka asgjë të tillë“, më tregon ajo. Shumë njerëz mendojnë njësoj, veçanërisht në Greqinë Veriore, ku historia e përbashkët është kthyer në një betejë për kombet e lindur rishtas. I shkreti Arbër! Shumë maqedonas në Selanik më rrëfejnë se nuk e zbulojnë kombësinë e tyre. Grekët, sidomos grekët e rajonit të Maqedonisë, nuk janë të lumtur me emrin e shtetit fqinj. E kuptoj, deri në njëfarë mase. Megjithatë, agresioni dhe fyerjet që dëgjoj nga grekët kundrejt fqinjëve të tyre, shkojnë përtej… Kam qenë në fshatrat afër kufirit. Kam folur me shumë njerëz, që janë grekë dhe që flasin maqedonisht. Por agjenda zyrtare e qeverisë greke është e thjeshtë: këta njerëz nuk ekzistojnë. Nuk e di sa herë njerëzit më kanë akuzuar për gënjeshtra, vetëm se kam përmendur faktin e thjeshtë që të qenit grek dhe të folurit maqedonisht nuk është një kundërshti, por një domosdoshmëri historike.

Süd-Balkan-Reise Minderheiten in Griechenland (DW/E. Elezi)

 

Shkojmë të takojmë greko-maqedonasin e mëparshëm. Arbri flet me të maqedonisht, gjithë kohës. Gruaja greke, e cila tha se nuk ka sllavo-maqedonas në Greqi, është ulur në tavolinën ngjitur dhe gjerb kafe greke. Burri na prezanton me nusen e djalit dhe djalin. I biri na tregon me krenari groshët e famshme të Prespës, që janë të njohura në të gjithë Greqinë për shijen e tyre fantastike. E pyes: “Je grek? Maqedonas? Apo të dyja bashkë?”. “Jam një greko-maqedonas”, përgjigjet ai. Ai e konsideron veten një patriot grek, si shumë sllavo-maqedonas me të cilët bisedova.

Në fakt, mesa mësojmë nga Pavlos Voskopoulos, ata preferojnë përcaktimin maqedonas etnikë. Voskopoulos është anëtar i Partisë së Ylbertë, e cila përfaqëson interesat e pakicave. E takojmë në Florinë, destinacioni ynë i radhës. “Na duhet të bëjmë ndryshime ekstreme në sistemin arsimor”, na tregon ai. “Duhet t’u mësojmë fëmijëve rreth larmisë së këtij rajoni. Jemi përzier kaq mrekullueshëm ndër shekuj. Duhet ta shohim këtë si një përparësi”.

Süd-Balkan-Reise Minderheiten in Nord-Mazedonien (DW/F. Schmitz)

 

E kuptojmë se sa të drejtë ka ai kur mbërrijmë po atë natë në Manastir. Qyteti maqedonas është vetëm 30 minuta larg me makinë. Në hotel flas me një grua të re, e cila po pi cigare në oborr. Nga biseda me të mësoj se është greke. Ajo dhe e motra e saj janë nga Naoussa dhe kanë ardhur në Manastir për të zbuluar më shumë rreth gjyshit të tyre. Vendosim të flasim dhe njëherë mëngjesin e ditës tjetër për një intervistë. Por të nesërmen, teksa shëtisim me to përgjatë rrugëve me borë të Manastirit, ndjej një distancë që është rritur përgjatë natës. Biseda e hapur që patëm një natë më parë është zëvendësuar nga kujdesi dhe ngurrimi. Në momentin që duam të nisim xhirimet, ato refuzojnë, edhe për të folur në mënyrë anonime. Një mik i tyre, i  cili i shoqëron të dyja në këtë udhëtim, pranon të flasë, por i paidentifikuar. Ai thotë se grekët që kanë rrënjë maqedonase, konsiderohen tradhëtarë. Njerëzit humbin dhe vendet e punës për këtë shkak. Marrëdhëniet marrin fund. Ai flet për sulme fizike dhe ngacmime të vazhdueshme.

 Bitola Nord Mazedonien im bild Arber Bajrami und Elona Elezi (DW/F. Schmitz)

 

„Nuk është koha për të hapur çështjen e sllavo-maqedonasve në Greqi”, më tha një koleg grek disa muaj më parë. Ditët e fundit kanë treguar se kjo çështje është shumë e vonuar dhe se Elona, Arbri dhe unë, duhet të udhëtojmë më shumë, të takojmë më shumë njerëz e të krijojmë më shumë dukshmëri. Kemi mësuar shumë në udhëtimin tonë të parë mbi pakicat, rreth shteteve në të cilat jetojmë, rreth mënyrës se si mësohet historia, dhe gjithashtu kemi mësuar shumë edhe nga njëri-tjetri. Është koha për t’i bërë këto çështje të dukshme. Dhe pajtohemi fuqimisht për një gjë: ndjenja kombëtare ka qenë… Tashmë është koha t’u japim një zë, atyre që e patën humbur.

 

Fraksion.com