AktualitetRajoniTë fundit

Shkup, regjistrohen dy raste të reja me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar për dy raste të reja të prekura me koronavirusin e ri në këtë vend. Në një njoftim të ministrisë thuhet se “testet e realizuara mbi dy persona, burrë e grua, kanë dalë pozitive”.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një çift bashkëshortor nga Dibra që janë kthyer nga Italia disa ditë më parë.

Në Maqedoninë e Veriut, më 26 shkurt ishte regjistruar rasti i parë me koronavirus, te një grua që ishte kthyer po ashtu nga Italia.

Institucionet ndërkohë kanë ndaluar nëntë persona që kishin udhëtuar me gruan e infektuar.

Të gjithë janë vendosur në izolim 14-ditor në disa qendra speciale për trajtim mjekësor.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndërkohë ka marrë vendim për të ndaluar të gjitha tubimet dhe ngjarjet e mëdha publike, si dhe zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë deri më 13 mars.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndeshja futbollistike mes kombëtareve, të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, më 26 mars, të luhet pa tifoz, si masë për parandalimin eventual të paraqitjes së ndonjë rasti të ri me këtë virus.

Institucionet në Shkup kanë marrë masa të kontrollit në pritje të një grupi turistësh nga Singapori dhe Japonia, të cilët pritet të arrijnë këto ditë në territorin maqedonas.

 

Fraksion.com