Programi i Rindërtimit; Rama në shkollën “Gjergj Canco”: 300 nxënës protagonistë në frontin e punës
Kryeministri Edi Rama theksoi se “falë politikave tona mbështetëse, arsimi profesional po fuqizohet çdo ditë e më shumë dhe 300 nxënës nga profesionalet e ndërtimit, do të jenë protagonistë në Frontin e Punës për Rindërtimin”.
“Me nxënësit e viteve të 3-ta dhe të 4-ta të shkollave profesionaleve që lidhen me ndërtimin do të bëjmë një ftesë dhe kush do të dëshirojë do të përfshihet në programin e Rindërtimit për t’u bërë pjesë e punës, në kantieret e rindërtimit ku ka nevojë për punonjës të kualifikuar”, tha Rama, duke iu drejtuar nxënësve.
Ai i siguroi ata se “do të marrin rrogë dhe qeveria do të bëjmë çmos që kompanitë të japin rroga të mira”.
“Edhe ne na ndihmoni shumë se nuk kemi shumë punonjës të kualifikuar edhe ju e shënoni në historinë profesionale që ishit pjesë. Do hapim shumë vende pune, se dihet historia: s’ka punë dhe janë të gjithë juristë”, tha Rama.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se “falë përmirësimit të kurikulës që po zhvillohet në arsimin profesional është arritur që 85% e nxënësve që përfundojnë vitin e fundit të futen në tregun e punës, brenda vitit të parë”.
Denaj, po ashtu, theksoi se janë 22 biznese me të cilat shkolla ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë që praktika mësimore të zhvillohet gjatë kohës së mësimit.
Por, theksoi ajo, praktika mësimore do të ridimensionohet në bashkëpunim edhe me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Arsimit Profesional, për të zhvilluar një kurikul të re bashkëpunimi me bizneset.
Për këtë vit, tha Denaj, kemi punësuar 100 mësues të rinj që i shërbejnë kryesisht qendrave të zhvillimit të marrëdhënies shkolla-biznes, duke qënë se besojmë se kjo është një marrëdhënie që duhet ridimensionuar përtej infrastruktur[s dhe numrit të nxënësve.
Po ashtu, Denaj tha se numri i nxënësve është rritur me 40% në 4 vitet e fundit. Ajo informoi se në çdo shkollë profesionale janë hapur zyrat e karrierës që lidhin nxënësit me zyrat e punës dhe biznesin.
Ndërsa drejtoresha e shkollës, theksoi se fakti që biznese shumë prestigjoze arrijnë të na përthithin, na bën të lumtur.
“Numri i studentëve që bëjnë praktika profesionale në biznes, kryesisht në profilet ICT dhe elektronik po ashtu është rritur dhe një hap i mirë është që 49% e nxënësve janë të punësuar në këto biznese që bëjnë praktikat”, tha ajo.
Sipas saj, aktualsiht vetëm 20% e nxënësve të shkollës shkojnë në Universtitet, kur pak vite më parë shkonin 100% e nxënësve. “Kjo për ne është arritje e madhe sepse ata bëhen pjesë e tregut të punës”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e shkollës tha se “falë mbështetjes nga buxheti i shtetit ne tashmë arrijmë të blejmë çdo mjet dhe pajisje të nevojshme për zhvillimin e praktikës në laboratoret e shkollës.”
Fraksion.com