AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Ligji për kalimin e pronësisë antikushtetues, do e rrëzojmë në Kushtetuese

Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot në një deklaratë për shtyp në selinë e PD-së së ligji për kalimin e pronësisë që miraton Rama sot është anti-kushtetues dhe PD do e rrëzojë në Gjykatë Kushtetuese.

Tabaku tha se “synimi i këtij korpusi ligjor është zhdukja e të drejtës së qytetarit për të gëzuar pronën, vjedhjen e saj për interesa personalë të tarafit ekonomik të Ramës. Në gjithë këtë grup ligjesh, qeveria dhe mazhoranca kanë shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e Shqipërisë, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ato të Strasburgut. Të uritur për të gllabëruar e marrë çdo pronë të mundshme, mazhoranca ka dhunuar plotësisht parimin e shenjtë të Kartës të të Drejtave të Njeriut.

“Në projekt-ligjin për Kalimin e Pronësisë, mazhoranca nuk ka respektuar asnjë nga këshillat parimore të Komisionit të Venecias. Jo vetëm kaq por ajo ka ideuar një ligj akoma dhe më  malinj se ai që kish propozuar më parë, duke e ndryshuar vetëm në fasadë dhe duke ruajtur brendinë e tij. Projektligji që sot po miratohet nga votat e noterit personal të Ramës, të parlamentit ilegjitim, i kalon kompetenca ekstra ligjore agjencive të qeverisë si e si që kjo e fundit të përdorë pushtetin e saj për të kryer ndere personale. Praktikisht do të kemi disa ligje në fuqi që janë në kundërshti të pastër me njëri tjetrin. Ligji për planifikimin e territorit dhe ligjin në fjalë që i jep të drejtën ASHK-së të vjedhë kompetencat e IKMT-së. Me qëllimin që procesi i legalizimeve jo vetëm të mos përfundojë kurrë, por të jetë një rrjetë me të cilën qeveria të marrë vota dhe të abuzojë me pushtetin. Aq i pandershëm është ky ligj saqë qeveria ka vendosur që të mos mbrojë interesat ekonomik të pronarit të ligjshëm. Propozimi i cili do të votohet në kuvend, nuk i jep asnjë afat garancie të shpërblimit për tokën e grabitur pronarit. Nga ana tjetër nuk i jep as siguri për legalizimin e tij”, tha ajo.

Po ashtu Tabaku tha se “pronarët që në të drejtë të tyre kanë gëzuar një pronë për vite edhe dekada me radhë në rast të mungesës së një tapie do të konsiderohen si ilegalë. Kjo çmenduri që votohet sot në kuvendin e Shqipërisë nga noterët e krye-oligarkut Rama i kërkojnë pronarit të tokës që të ri blejë truallin e tij dhe ndërtesën e tij edhe nëse kjo është ndërtuar përpara 1991. Ky ligj i jep fuqi Ramës dhe vartësve të tij të kenë autoritetin e një gjykate, duke vendosur për kufijtë e pronës në rast konflikti, të drejtë që deri më sot e kanë vetëm gjykatat në Republikën e Shqipërisë, që bie ndesh me Kodin e Procedurës Civile duke marrë fuqi e kompetenca ekstraligjore.

“Komisioni i Venecias foli qartë për këtë ligj si dhe për grupin prej 10 ligjesh që PD ka vite që i denoncon. Miratimi i këtij Ligji është një hap më tej në uzurpimin e çdo hapësirë institucionale, në marrjen e çdo kompetence dhe në rrëmbimin e çdo përgjegjësie.Partia Demokratike zotohet se do të rrëzojë këtë korpus ligjor anti-pronë, që cenon dhe sulmon parimin themelor të barazisë përpara ligjit, gëzimin e të drejtës së pronës dhe vendimet Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

 

Fraksion.com