AktualitetNATO/BETë fundit

“NATO mbetet një aleancë bërthamore”; Deklarata: 50 vjet nga Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore

Deklaratë e Këshillit të Atlantikut të Veriut për 50 vjetorin e Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore

“Pesëdhjetë vjet më parë nga sot, hyri në fuqi Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Ne, si Aleatët e NATO-s, festojmë këtë Traktat vizionar dhe arritjet e tij të jashtëzakonshme. NPT mbetet me rëndësi thelbësore kundër përhapjes së armëve bërthamore, gurthemeli i arkitekturës globale të mos përhapjes dhe çarmatimit, dhe korniza për bashkëpunim ndërkombëtar në ndarjen e përfitimeve të përdorimeve paqësore të energjisë bërthamore, shkencës dhe teknologjisë. Aleatët vazhdojnë të jenë të përkushtuar për zbatimin e plotë të NPT në të gjitha aspektet e saj.

NPT ka kufizuar përhapjen e armëve bërthamore në të gjithë botën. Që nga hyrja në fuqi e Traktatit, është bërë përparim i madh në çarmatimin bërthamor, të dëshmuar nga eleminimi i dhjetëra mijëra armë bërthamore, dhe puna e mëtejshme për zbatimin e të gjitha dispozitave të Traktatit mbetet e domosdoshme. Sfidat e vazhdueshme të përhapjes nënvizojnë nevojën e ruajtjes dhe forcimit të Traktatit, dhe ne i bëjmë thirrje të gjitha Shteteve të forcojnë përpjekjet për të arritur aderimin universal dhe universalizimin, dhe në mënyrë efektive të luftojnë përhapjen bërthamore përmes zbatimit të plotë të NPT. Nuk ka asnjë alternative të besueshme për këtë Traktat.

Kontrolli i armëve, çarmatimi dhe mos-përhapja kanë dhënë dhe duhet të vazhdojnë të japin një kontribut thelbësor në arritjen e objektivave të sigurisë së NATO-s dhe për të siguruar stabilitetin strategjik dhe sigurinë tonë kolektive. Aleatët e NATO-s kanë një histori të gjatë për të bërë pjesën e tyre në çarmatim dhe mos-përhapje. Ne riafirmojmë vendosmërinë tonë për të kërkuar një botë më të sigurt për të gjithë dhe për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm praktikë dhe masa efektive për të nxitur çarmatimin bërthamor. Për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, NATO do të mbetet një aleancë bërthamore. Qëllimi themelor i aftësisë bërthamore të NATO-s ka qenë gjithmonë ruajtja e paqes, parandalimi i shtrëngimit dhe parandalimi i agresionit. Aleatët gjithmonë i kanë respektuar detyrimet e tyre sipas NPT dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet bërthamore të NATO-s kanë qenë gjithmonë plotësisht në përputhje me NPT.

Aleatët e NATO-s mbështesin qëllimin përfundimtar të një bote pa armë bërthamore në përputhje të plotë me të gjitha dispozitat e NPT, përfshirë Nenin VI, në një mënyrë gjithnjë e më efektive dhe të verifikueshme që promovon stabilitetin ndërkombëtar, dhe bazohet në parimin e sigurisë për të gjithë. Përkundër arritjeve të tij, suksesi i qëndrueshëm i NPT nuk mund të merret si i mirëqenë dhe kërkon përpjekje të qëndrueshme. Në këtë frymë, ne i bëjmë thirrje të gjitha Shteteve Anëtare të NPT të punojnë së bashku për një Konferencë të suksesshme Rishikimi më vonë këtë vit.”

 

Fraksion.com